Spanja zgjedh qeverinë e re, RMV pret ratifikimin e Protokollit për në NATO
Spanja u bë me qeveri të re....

Spanja u bë me qeveri të re. Mandatari spanjoll, Pedro Sançez, ia doli të sigurojë votat e nevojshme në Parlamentin spanjoll për të zgjedhur qeverinë e re, me diferencë të ngushtë.
Sançez, i cili po drejton Aleancën e qendrës së majtë “Unidos Podemos”, gjatë votimit në Kuvend fitoi përkrahjen e 167 deputetëve nga gjithsej 350. Kundër votuan 165 deputetë, ndërkaq 18 u deklaruan të përmbajtur.
Me zgjedhjen e qeverisë spanjolle, tejkalohet edhe pengesa e fundit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, pasi nga 29 vende të Aleancës, Spanja është vendi i vetëm i cili ende nuk e ka ratifikuar Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në këtë organizatë.
Gjithsesi, bëhet fjalë për një akt juridik të prapambetur për shkak të zgjedhjeve dhe pamundësisë për të bërë qeverinë, pasi Spanja ka deklaruar përkrahjen për Maqedoninë e Veriut në Samitin e fundit të NATO-s.
Pritjet janë që ratifikimi të ndodh brenda muajit janar, që edhe RMV të procedojë projekt ligjin i cili u konfirmua në seancën e 28 dhjetorit të Qeverisë dhe pret miratimin e tij para vetëshpërndarjes së Kuvendit që duhet të ndodh më 11 shkurt, si pasojë e marrëveshjes ndërmjet partive politike, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill.
Është paralajmëruar se ky ligj do të shpallet në Gazetën Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi, vetëm pas ratifikimit të Protokollit edhe në Spanjë.
Kështu, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s.
Ndryshe, protokolli për anëtarësim në NATO u nënshkruar më 6 shkurt në Bruksel, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë për ndryshimin e emrit Kushtetues. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
