Maqedoni

Krishtlindja e të pastrehëve, darka festive i mblodhi bashkë, pavarësisht besimit

07.01.2020 17:26

Krishtlindja u festua edhe në strehimoren për të pastrehët në Momin Potok në Shkup...

Në një tryezë të përbashkët, mbrëmë rreth 15 të pastrehë, me kombësi të ndryshme dhe me fe të ndryshme, festuan bashkë festën e madhe të besimtarëve ortodoksë me një dëshirë të vetme që i bashkon - një strehë të ngrohtë për të gjithë ata. 
 
“Këtë vit monedha ra tek njëra prej shfrytëzueseve të qendrës, apo me saktësisht Arifes, e cila shumë vite tashmë vjen në këtë  strehimore. E mund të themi që ajo u lumturua shumë. I dëshiruam një jetë normale dhe para së gjithash një shtëpi të ngrohtë, ajo është gjëja që i mungon në jetë, pasi shërbimet e tjera ia sigurojmë këtu në punktin e të pastrehëve.”,- tha Dragana Llazarevska nga Kryqi i Kuq.
 
Janë 80 persona pa kulm mbi kokë që në vit vizitojnë këtë punkt. Janë të shumta arsyet që i kanë lënë ata rrugëve. 
 
“Më të shpeshta janë alkooli, droga, bixhozi, marrëdhëniet pronësore të pazgjidhura me të afërmit e tyre. Gjithashtu në punkt vijnë edhe shumë persona të cilët kanë probleme mendore.”,- theksoi Dragana Llazarevska nga Kryqi i Kuq.
 
Këtu atyre iu shpërndahen ushqime, rroba dhe ilaçe. Kanë edhe mjekë, psikologë dhe punëtorë socialë.
 
Por, mbi të gjitha janë edhe njerëzit humanë që kur vërejnë të pastrehët në rrugë në këtë kohë të ftohtë, lajmërohen në Kryqin e Kuq dhe mundësojnë kështu që të gjithë të kenë përkujdesje e ngrohtësi në këto temperature të ulëta.  
 
GAZMEND KURTISHI