Botë
Varrimi i gjeneralit iranian Sulejmani, dhjetëra persona humbën jetën në ceremoninë mortore. Parlamenti i Iranit votoi, Pentagoni konsiderohet si grup “terrorist”
07.01.2020 17:50
Rreth 40 iranianë humbën jetën dhe mbi 120 të tjerë u lënduan gjatë varrimit të gjeneralit iranian, Kasim Sulejmani...

Rreth 40 iranianë humbën jetën dhe mbi 120 të tjerë u lënduan gjatë varrimit të gjeneralit iranian, Kasim Sulejmani, kur turma u kthye në një stampedo njerëzore, bëri të ditur televizioni shtetëror.
Varrimi i gjeneralit u mbajt me fjalime pompoze kërcënuese. Lideri i gardës iraniane revolucionare u kërcënua se do t’i djeg vendet që kanë përkrahur SHBA-të për vrasjen e gjeneralit. Ky kërcënim shkaktoi thirrje të fuqishme “vdekje për Izraelin” në turmë.
“Nëse ushtarët amerikanë nuk lëshojnë territorin tonë me vetdëshirë, ne do ndërmarrim veprime që trupat e tyre të dalin nga territori ynë horizontalisht.”,- deklaroi sekretari i Këshillit Suprem për Siguri të Iranit, Ali Shamhani.
Parlamenti i Iranit unanimisht votoi një mocion për caktimin e ushtrisë amerikane dhe Pentagonit si organizata terroriste.
Deputetët iranianë miratuan mocion emergjent për të “ndryshuar projektligjin që kundërshton masat kundër krimit të fundit të SHBA-ve”.
Mocioni për ndryshimin e kundër masave u miratua nga 223 ligjvënës. SHBA-të nga ana tjetër refuzuan kërkesën për vizë të Ministrit të Jashtëm të Iranit, Mohamed Xhavad Zarif, që duhej të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit të OKB-së.
Zarif thotë se nëse nuk i lejohet të shkojë në Nju Jork, do t’i tregojë botës të vërtetën nga Teherani.
Irani po konsideron nga ana tjetër edhe 13 “skenarë hakmarrjeje” për t’iu kundërpërgjigjur amerikanëve për vrasjen e gjeneralit Sulejmani, i cili konsiderohej si njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran pas liderit suprem, Khameneit.
Shtetet e Bashkuara e konsideronin si terrorist dhe një kërcënim për trupat amerikane.
FLUTURA LATIFI
