Formimi i Qeverisë në Kosovë, pa marrëveshje takimi mes Kurtit e Mustafës
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa...

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, janë takuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, në takimin e parë pas disa kohësh mes dy krerëve të dy partive të cilët synojnë të bashkë-qeverisin dhe pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Por, edhe ky takim përfundoi pa asnjë marrëveshje, përveç dakordimit për një takim të radhës.
Takimi vjen vetëm një ditë pasi që Albin Kurti u takua me presidentin, Hashim Thaçi, për t’u konsultuar rreth mandatimit të kandidatit për kryeministër si hap i krijimit të Qeverisë.
Marrëdhëniet mes dy partive ishin të acaruara, pas dështimit që të dakordoheshin për pozitat e vëna në tavolinë të diskutimit.
Rrjedhimisht, edhe në seancën konstituive të Kuvendit dy partitë shkuan pa marrëveshje.
Dallimet u shpërfaqën edhe më tutje kur Kurti propozoi për kryeparlamentar Glauk Konjufcën, post ky që duhej t’i takonte LDK-së në marrëveshjen paraprake të bërë në mes të liderëve.
Tashmë Kurti ka bërë propozimet e tij për poste ministrore, e ka kërkuar nga Mustafa ta bëjë të njëjtën gjë.
