Irani sulmon me raketa 2 bazat amerikane, Khamenei: Shuplakë për ShBA-në, burim korrupsioni
08.01.2020 11:15
Dy baza ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë dhe personel të koalicionit...

Dy baza ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë dhe personel të koalicionit amerikan në Al-Asad dhe Irbil, janë sulmuar nga Irani. Fillimisht televizioni i Iranit raportoi se dhjetëra raketa u lëshuan në baza, por e njëjta u konfirmua edhe nga Pentagoni, i cili bëri me dije se do të marrë masa për të mbrojtur të gjithë ushtarët dhe personelin amerikan. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në reagimin e tij tha se “ky rajon nuk e pranon praninë e SHBA-së” dhe se Irani i dha ShBA-së “një shuplakë në fytyrë” natën e kaluar.
“Aksioni ushtarak në këtë mënyrë nuk është i mjaftueshëm. Ajo që ka rëndësi është se prania e Amerikës, që është një burim korrupsioni në këtë rajon, duhet të marrë fund.”,- tha udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Trump: Kemi ushtrinë më të fuqishme në botë
Presidentit amerikan, Donald Trump, u kujtoi kundërshtarëve të tij që SHBA-të kanë ushtrinë më të fortë në të gjithë botën.
KE: Ngadalësoni ciklin e dhunës, tregohuni të matur
Ka reaguar edhe Komisioni Evropian.
"Është e rëndësishme të ngadalësoni ciklin e dhunës në mënyrë që një veprim më shumë të mos shkaktojë tjetrin dhe në vend të kësaj të krijohet përsëri hapësirë për diplomaci.”,- thuhet në deklaratën me shkrim të lëshuar nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen. KE fton palët që të tregojnë maturi.
SANIJE DURAKU
