Filipçe: Nga shkurti paga më të larta në shëndetësi
08.01.2020 15:08
Nga shkurti, 18.300 punonjës shëndetësorë do të kenë të ardhura më të larta...

Rritje, përveç mjekëve, përfitojnë edhe infermierët, shoferët në institucionet shëndetësore dhe i gjithë personeli ndihmës-teknik. Kjo pas ndryshimeve e plotësimeve në marrëveshjen kolektive që mundësoi rritjen e koeficientit me këtë edhe rritjen e pagesave dhe rritjen e pagesës edhe për kujdestaritë. Ministri Filipçe madje mburret se me rritjet e fundit rrogat e mjekëve arrijnë edhe në 100 mijë denarë me kujdestaritë.
“Me këto ndryshime është përfshirë edhe personeli ndihmës-teknik. Me rrogën e shkurtit do të ketë rritjet si më poshtë: kuadri mjekësor përfiton rritje prej 20%, mjekët specialistë rritje prej 25%, mjekët e përgjithshëm rritje prej 15%, infermierët për 10%, punonjësit shëndetësorë dhe personeli ndihmës-teknik për 5%. Rritet edhe përqindja e pagave për kujdestari, që nga shkurti do të rriten për 4-5 herë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Rritja e pagave në shëndetësi, përfiton edhe stafi teknik, por jo administrata
Jashtë rritjes së pagave megjithatë mbetet administrata shëndetësore. Sindikatat kërkojnë që administrata shëndetësore të ndahet nga administrata publike e me këtë të përfitojnë nga rritja e rrogave në shëndetësi.
“Viti 2020 është viti i luftës sonë për të ndarë administratën shëndetësore nga pjesa tjetër e administratës dhe në kuadër të marrëveshjes sonë kolektive të ketë rritje pagash edhe për ta.”,- tha kryetari i Sindikatës së Pavarur të Qendrës Klinike, Goran Bregoviq.
“Investimi në shëndetësi dhe resurset njerëzore që kanë ndodhur në këtë moment me nënshkrimin e marrëveshjes kolektive nuk duhet të përjetohet si shpenzim, por duhet të përjetohet si investim për të ardhmen.”,- u shpreh kryetari i Sindikatës së pavarur të Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale, Lubisha Karanfillovski.
Problem më vete në shëndetësi janë spitalet e reja, të cilat ekzistojnë në letër, por në terren punët ecin shumë ngadalë. Qendra e re Klinike në Shkup tashmë 10 vite mbetet vetëm premtim i vazhdueshëm, spitali në Shtip jo vetëm që nuk po përfundohet as pas 5 vjetësh, por kostoja e re e tij është rritur për 7 milion euro.
Pagat rriten, mjekët ikin, 150 mjekë janë larguar në 2019-n nga RMV
E përveç mungesës së spitaleve modernë, gjithnjë e më shqetësues është ikja e mjekëve. Në 2019 nga vendi janë larguar 150 mjekë, nuk qëndron më mirë puna as te infermierët, të cilët gjithashtu largohen në masë të madhe. Spitalet kanë mungesë anesteziologësh, urologësh e kardiologësh, e kjo bën që mjekët shpesh të punojnë me rotacion në më shumë spitale. Ministri Filipçe e sheh shpëtimin tek hapja e qendrave rajonale shëndetësore.
VLORA LATIFI TOPOJANI
