Këshilli Gjyqësor: Strashovski po merr rolin e gjykatësit
Paralajmërimet për padi ndaj Këshillit Gjyqësor të avokatit, Jovica Strashovski....

Paralajmërimet për padi ndaj Këshillit Gjyqësor të avokatit, Jovica Strashovski, kanë shkaktuar reagimin e Këshillit, Gjykatës Penale dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Nga Këshilli Gjyqësor, letrat e avokatit mbrojtës të ish kryetarit të komunës së Gazi Babës, i cilësojnë madje si kërcënim publik ndaj gjykatësit porotë, kryetarit të Gjykatës Penale dhe kryetarit e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Nga Këshilli Gjyqësor informojnë se për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme dy seancat e dhjetorit kanë dështuar, ndërsa seanca e radhës është caktuar për më 27 janar.
"Në këtë mënyrë avokati Strashovski, përkrah rolit të mbrojtësit, insiston të menaxhojë procedurën për rastin"TNT", të marrë edhe rolin e gjykatësit, në kundërshtim me parimin e sundimit të së drejtës, në segment të të cilit është edhe parimi i gjykimit në afat të arsyeshëm".
Gjykata Penale: Të hetohen kërcënimet ndaj gjykatësve
Gjykata Penale apelon që organet kompetente të marrin masa konkrete dhe t’i hetojnë elementet e kërcënimit dhe presioneve ndaj gjykatës dhe gjykatëses porotë, me qëllim të mbrojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës. Përkujtojnë se "Obligim i gjykatësit porotë është të kryejë funksionin e tij deri sa nuk shkarkohet nga ana e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është në pajtueshmëri me Ligjin e gjykatave".
Ministria e Drejtësisë: Të gjithë të respektojnë ligjin, mjaft me presione
Edhe nga Ministria e Drejtësisë apelojnë që të respektohen ligjet pa presione dhe kërcënime, me qëllim që të kthehet besueshmëria në sistemin e jurisprudencës. Nuk duhen keqpërdorur të drejtat procedurale , vetëm proceset ku gjykohet në bazë të dëshmive dhe jo presionit, mund të rezultojnë në ndërtimin e sistemit të bazuar në drejtësi tonë nga kjo ministri.
"Apelojmë që të gjithë bartësit e procedurave gjyqësore, gjykatësit, avokatët, prokurorët , të respektojnë ligjin. Nëse vjen deri tek shkelja, e njëjta të sanksionohet.",- thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Mandati i gjykatëses porotë, Liljana Ivanovska Koçkovska, rrezikon që lëndët “TNT”, “Monstra”, “Talir”, “Tenderët” dhe “Toplik” të kthehen nga fillimi. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
