Maqedoni
Ratifikimi i protokollit për në NATO, opozita kërkon votim urgjent. Xhaferi: Nuk duhet shpejtuar, ka kohë
08.01.2020 17:26
Bie poshtë ideja për ratifikimin e Protokollit të kushtëzuar, të propozuar ditë më parë nga Qeveria....

Me formimin e Qeverisë spanjolle u hap rruga për ratifikim të Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, si nga Spanja po ashtu edhe në Kuvendin republikan, në formë të rregullt, para vetëshpërndarjes. Vetë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka deklaruar se procedura për ratifikim të Protokollit tash është shumë më e lehtë dhe pret që në afat sa më të shpejtë ai të përfundojë në Spanjë dhe se në këtë moment nuk do të ketë nevojë të shpejtohet me ratifikimin e Protokollit të kushtëzuar.
Megjithatë, partitë politike konsiderojnë se rruga për ratifikimin e Protokollit është hapur dhe pavarësisht kalendarit të ratifikimit në Spanjë, propozimi i qeverisë për ratifikim të kushtëzuar të vihet në votim.
“Fakti që Spanja ka formuar Qeverinë e re është për t’u përshëndetur, megjithatë ju e dini se Qeveria veç ka sjellë propozimin për ratifikimin e Protokollit dhe apelojmë te kryetari i Kuvendit që sa më parë të vë në rend dite.”,- tha deputeti i ASh-së, Surija Rashidi.
“Nëse nuk ndodh që procedura e rregullt të zhvillohet në Kuvendin spanjoll, ne do ta përkrahnim edhe protokollin që e propozon Qeveria e vendit që sa më shpejtë të plotësohen gjitha kushtet që vendi ta ketë statusin e një vendi me anëtarësim të plotë në NATO.”,- tha Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
“Sipas disa përvojave në të kaluarën, ratifikimi i një protokolli të tillë zgjat nga tre deri në pesë muaj, pasi duhet të miratohet në Dhomën e Ulët, në Dhomën e Lartë dhe duhet të nënshkruhet edhe nga Mbreti që ky ratifikim të përfundojë. Ne si VMRO-DPMNE edhe kur parashtruam kërkesën për miratim të parakohshëm të Ligjit për Protokoll me NATO-n, mbetemi në qëndrimin se kur të vihet në rend dite, VMRO-DPMNE do ta votojë.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
“Është mirë dhe motivuese që Spanja pati sukses që të formojë qeveri. Gjithsesi se anëtarësimi i RMV-së në NATO është çështje teknike. Qëllimi strategjik i shtetit për integrim në NATO është realizuar. Së shpejti pres që të ratifikojmë protokollin edhe në Kuvendin e RMV-së.”,- tha deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
“Shpresoj që ashtu si e përkrahu BDI, ashtu ta përkrahin edhe të gjitha partitë parlamentare ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO, i cili duhet të jetë vendimi i parafundit i kësaj përbërjeje të Kuvendit, për arsye se duhet ta miratojmë më 12 shkurt më së voni, para se të vetë-shpërbëhemi, në mënyrë që të mundësojmë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.”,- tha Artan Grubi nga BDI.
Në ndërkohë, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, marshalli ajror Stuart Piç, përshëndeti hapat e reformës në transformimin e Ushtrisë dhe theksoi mbështetjen e mëtutjeshme për planin e stërvitjeve dhe ushtrimeve. Në takimin me shefin e shtabit të përgjithshëm, Vasko Gjurçinovski, dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, janë diskutuar proceset aktuale që ndërmerren nga ushtria, në vazhdën e anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në Aleancë, mbështetja nga trupi më i lartë këshilldhënës i NATO-s, si dhe për konferencën e ardhshme të Komitetit Ushtarak që do të mbahet javën e ardhshme në Bruksel.
SHPËTIM NUREDINI
