Botë

Kosovë, VV-LDK sërish pa marrëveshje për qeverinë

08.01.2020 18:25

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa...

Lideri i  Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, edhe një herë u ulën për tre orë kokë më kokë për arritjen e një marrëveshjeje që do të rezultonte me krijimin e një koalicioni që do të drejtonte qeverinë e re të Kosovës por marrëveshje sërish nuk pati. Pas përfundimit të takimit, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa theskoi se ka lëvizje të pozicioneve të dy partive por se takimi  do të vazhdoj të ejten. 
 
“Ka një lëvizje për të arritur marrëveshje mes dy palëve. Do të kemi edhe një takim të radhës, për detaje të tjera do ju njoftojmë nesër”, tha Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së.
 
Pa komentuar shumë këtë takim që zgjati tri orë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, krejt çfarë tha ishte se bisedimet do të vazhdojnë. 
 
Edhe nga Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate konfirmojnë se ka lëvizje të qëndrimeve mes dy subjekteve por tentimi I radhës për marrëveshje finale do të provohet sërish.
 
“Në kuadër të rifillimit të bisedimeve, në takimin e sotëm ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati përafrim. Takimi i radhës drejt marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV-LDK është nesër. 48 orët e afatit kohor që presidenti Thaçi i dha mandatarit Kurti përfundojnë në mesnatë”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes VV.
 
Albin Kurti dhe Isa Mustafa, s’po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për ndarjen e pushtetit edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj prej kur u zhvilluan zgjedhjet. 
 
ZEKIRJA MEXHITI