Botë
BE-ja mban dyert hapur për ballkanin
30.09.2014 14:47
Gazeta britanike “The Economist”, shkruan se dera e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Ballkanin Perëndimor mbetet e hapur, por rajoni duhet të bëjë më shumë për ta arritur atë...

Sipas të përjavshmes, Ballkani Perëndimor e ka humbur mbështetjen e fortë të mëparshme të Britanisë, e cila kohët e fundit është tepër e shqetësuar për çështjet e emigracionit të paligjshëm.
Por, nga ana tjetër, Gjermania ka luajtur një rol më aktiv në këtë çështje, transmeton “Sq.kurir”.
Megjithatë, në artikull shkruhet se problemet më të thella nuk janë në dorën e Bashkimit Evropian, por është vetë rajoni ai i cili duhet t’u japë drejtim.
Progresi i Bosnjës me qeverinë e saj jofunksionale është cilësuar si i ngadaltë, më tej Maqedonia mbetet e bllokuar nga konflikti me Greqinë për çështjen e emrit, ndërsa Kosova – shkruan “The Economist” – ngelet mbrapa, pasi është i vetmi vend në të cilin njerëzit nuk mund të udhëtojnë në zonën “Schengen” të BE-së pa viza.
Por, sipas prestigjiozes, Shqipëria është kandidate kryesore e cila ka “dritën jeshile” për fillimin e bisedimeve dhe shpreson ta bëjë këtë deri në fund të vitit. Megjithatë, gazeta britanike e cilëson si një fat të mirë për Ballkanin Perëndimor postin e ri të Federica Mogherinit, si përfaqësuesja më e lartë e BE-së për politikën e jashtme, sepse ajo e njeh më së miri zonën.
Prestigjiozja “The Economist”, e mbyll duke thënë se “një Ballkan i qëndrueshëm është një pasuri për të gjithë, por një Ballkan i destabilizuar dhe i varfër mund të kthehet në burimin e krimit dhe të emigrantëve të paligjshëm”.
