Gjykata Penale pranoi aktakuzën për organizatorët e “27 prillit”
Këshilli për Vlerësim të Aktakuzës në Gjykatën Penale në Shkup....

Këshilli për Vlerësim të Aktakuzës në Gjykatën Penale në Shkup ka pranuar plotësisht aktakuzën ndaj të dyshuarve për organizimin e sulmit të 27 prillit të vitit 2017 në Kuvend.
“Për shkak të interesit të mediave, e informojmë opinionin se Këshilli për Vlerësimin e Aktakuzave, që është kompetente për të vepruar në aktakuzën 21/19 në lidhje me ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, pas një seance publike dhe pas vlerësimit të fakteve dhe provave, ka marrë vendim që të aprovojë aktakuzën në tërësi.”,- thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Njëherit bëhet e ditur se tanimë është formuar edhe lëndë penalo-juridike, e cila në bazë të sistemit AKMIS do t’i ndahet një gjykatësi për veprim të mëtutjeshëm.
Aktakuza ka të bëjë me ish kryeparlamentarin, Trajko Veljaniovski, ish ministrat, Mile Janakiseki dhe Spiro Ristoski, si dhe ish kreu i DSK-së, Vlladimir Atanasovski, të cilët akuzohen për organizimin e dhunë së 27 prillit në Kuvend.
Po ashtu pjesë e hetimeve ishin edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe ish shefi i kundërzbulimit, Nikolla Boshkovski, por pasi ata ndodhen në arrati, procedura ndaj tyre, siç thonë nga gjykata, do të vazhdojë pasi ata të jenë ekstraduar.
Sipas hetimeve të akuzuarit i kanë përgatitur dhe realizuar planin e 27 prillit me qëllim të pengimit të pranim -dorëzimit të qetë të pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të vitit 2016.
Të akuzuarit dyshohet se si organizatorë e kanë përfshirë tërë strukturën partiake dhe mjetet materiale për realizimin e qëllimit, me ç’rast kanë mundësuar edhe zvogëlimin në kontinuitet të zyrtarëve policorë për sigurimin e protestave dhe objektit të Kuvendit.
Në selinë e VMRO-DPMNE-së dy nga të akuzuarit, sipas prokurorisë, në kontinuitet e kanë mobilizuar anëtarësinë e partisë që në moment të caktuar të kryejnë hyrjen e dhunshme në Kuvend.
Aktakuza ishte parashtruar më 31 maj të vitit 2019, por deri tani vlerësimi është shtyrë për shkak të ndërrimit të 8 nga 9 gjykatësit në sektorin e krimit të organizuar për shkak se në baza të ndryshme ishin të lidhur me lëndët tjera që udhëhiqen në gjykatë lidhur me dhunën e 27 prillit në Kuvend. (Sanije Duraku, TVM2)
