Maqedoni

Vjetrimi i lëndëve penale, LSDM me propozim për ndryshimin e Kodit Penal. VMRO do të përpiqet të fus në ligj kërkesat e veta

09.01.2020 17:35

LSDM kërkon masa më të ashpra për zyrtarët që janë në konflikt me ligjin. Deputeti, Aleksandar Kiracovski...

LSDM kërkon masa më të ashpra për zyrtarët që janë në konflikt me ligjin. Deputeti, Aleksandar Kiracovski, ka dorëzuar në Kuvendin republikan propozim ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, me të cilin parashihet trefishimi i afatit për të konstatuar se lënda është vjetruar, pas vendimit gjyqësor në shkallë të parë.
 
“Në ligj do të vihej dispozitë e re e cila parasheh: nëse para kalimit të afateve për vjetrim të lëndës është marrë aktvendim i shkallës së parë, vjetrimi i ndjekjes penale do të vazhdohet për dy vjet shtesë. Kjo mundëson që pas marrjes së aktvendimit të shkallës së parë lëndët mos vjetrohen ashtu lehtë.”,- tha deputeti i LSDM-së, Alekasnadar Kiracovski.
 
Ideja për një ndryshim të tillë, sipas LSDM-së, ka lindur pas rastit “Trajektorja”, ku i akuzuar ishte ish kryeministri në azil, Nikolla Gruevski, i cili shpëtoi nga akuza për shkak të vjetrimit të lëndës.
 
Edhe VMRO-DPMNE, në parim, përkrah luftën kundër korrupsionit, megjithatë kërkon që në ligj të përfshihen edhe kërkesat e saj, si: persona të falur të mos mund të zgjidhen dhe emërohen në pozita udhëheqëse, duke aluduar kështu në kreun e LSDM-së, Zoran Zaev; të mos ketë amnisti për funksionarë të lartë dhe të hulumtohet prejardhja e pronës së zyrtarëve të lartë. 
 
“Do të përpiqemi që ta përmirësojmë zgjidhjen ligjore me vërejtjet që kemi, nëse me të vërtetë duam që kjo zgjidhje ligjore të mos jetë vetëm pamphlet parazgjedhor, por ligj i cili në vazhdim do të ketë vlerë në të ardhmen.”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Vjetrimi i lëndëve gjyqësore për raste korruptimi të nivelit të lartë është kritikuar edhe faktori ndërkombëtar.
 
Propozuesi ftoi të gjitha partitë parlamentare që ta përkrahin propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal.
 
SHPËTIM NUREDINI