Botë

Krasniqi: vetëm Thaçi kryeministër

30.09.2014 15:04

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke iu referuar zërave që Kosova ta ketë një kryeministër konsensual, ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie...

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke iu referuar zërave që Kosova ta ketë një kryeministër konsensual, ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie se vetëm Hashim Thaçi do të jetë kandidat për kryeministër.
 
Në një intervistë për “Epokën e re”, Krasniqi, duke iu referuar zërave që Kosova të ketë një kryeministër konsensual, në mënyrë që të tejkalohet ngërçi politik, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës më 8 qershor kanë vendosur për pozitën e kryeministrit.
 
“Qytetarët e Kosovës e kanë dhënë verdiktin e tyre në zgjedhjet e 8 qershorit. Në garën për kryeministër të Kosovës ka pasur konkurrencë, por ka fituar bindshëm kandidati i PDK-së, njëherësh lideri i partisë, Hashim Thaçi, i cili ka marrë numrin rekord të votave nga qytetarët e Kosovës për ta udhëhequr qeverinë e vendit edhe për një mandat”- ka thënë Krasniqi.
 
Në këtë kontekst, Krasniqi ka deklaruar se për PDK-në nuk mund të ketë zgjidhje politike, e cila është në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin e qeverisë dhe kryeparlamentarin e Kosovës.
 
Nënkryetari i PDK-së, ka kërkuar nga partitë e bllokut të mbizotërojë racionaliteti politik në mënyrë që Kosova ta tejkalojë këtë ngërç politik.