Irani goditi gabimisht avionin ukrainas
Një luftë e vërtetë mes palëve ka nisur dhe për çështjen e rrëzimit të avionit ukrainas...

Një luftë e vërtetë mes palëve ka nisur dhe për çështjen e rrëzimit të avionit ukrainas në Teheran ku humbën jetën 176 personat që ishin në bord.
Shërbime të inteligjencës amerikane, irakiane dhe burime nga Pentagoni dyshojnë se ka të dhëna se avioni i nisur drejt Kievit u godit gabimisht nga dy raketa iraniane. Deklaratat janë mohuar menjëherë nga Teherani zyrtar, i cili shprehet se këto supozime janë të pavërteta.
Një video e siguruar tregon një raketë që godet një objekt në ajër qe supozohet të jetë avioni Boeing 737 i “Ukrainian Airlines”.
Ukraina më herët tha se po shqyrtonte mundësinë e një sulmi raketash si shkak për rrëzimin e aeroplanit, por vetë Irani e përjashtoi këtë.
Nga ana tjetër autoritetet iraniane refuzuan t’i japin kompanisë Boeing kutinë e zezë të avionit të rrëzuar.
Në terren, përveç hetuesve iranianë, ka mbërritur edhe një ekip hetuesish nga Ukraina. Rrëzimi i avionit ndodhi vetëm disa orë pasi Irani mori përsipër sulmin me raketa ndaj dy bazave ajrore që strehonin forcat amerikane në Irak.
