Ekonomi
Ekspertët: Investimet kapitale në favor të zhvillimit ekonomik
30.09.2014 15:39
Projektet e realizuara dhe sidomos ato që kanë të bëjnë me investimet kapitale, janë në dobi të zhvillimit ekonomik të vendit dhe hapjes së vendeve të reja të punës...

Kështu e vlerëson komuniteti i biznesit, respektivisht njohësit e rrethanave ekonomike, llogaridhënien e kabinetit qeveritarë për 100 ditët e para të funksionimit të saj.
Ata shprehen se do të ishin më të kënaqur sikur projektet të mos mbeten vetëm në letër dhe të barten nga viti në vit nëpër projekt-buxhete, por të njëjtat të implementohen.
“Ne jemi për t’u realizuar gjërat, sepse gjërat në këtë pjesë janë në interes të të gjithëve, jo vetëm në interesin tonë. Ne jemi pro të gjitha projekteve të cilat janë pjesë e propozim-buxheteve, por më shumë do të ishim mirënjohës dhe sigurisht do të ishim edhe në mbështetje të tyre në qoftë se këto projekte do t’i shihnim në buxhetet e implementuara. Të shkruash në buxhet si propozim është gjëja më e lehtë sot, por ne do të vlerësonim sikur këto projekte në fund të vitit të ishin projekte të përmbyllura dhe të mos barteshin nga viti në vit”- deklaroi eksperti ekonomik, Arben Halili.
Ndërtimin e tërësishëm të korridoreve 8 dhe 9-të, përfshirë edhe infrastrukturën hekurudhore, Halili e konsideron të një rëndësie të veçantë, si një urë lidhëse për rritjen e bashkëpunimit ndërajonal.
“Ndërtimi i korridorit 8 do të ishte gjëja kryesore e cila do të kontribuonte zhvillimin ekonomik jo vetëm të pjesës perëndimore të Maqedonisë, sepse ky korridor e ka rëndësinë e veçantë edhe për pjesën lindore. Në këtë drejtim sigurisht që ai do të gjeneronte të ardhura shtesë edhe për vetë shtetin. Infrastruktura hekurudhore po ashtu luan një rol të rëndësishëm dhe sigurisht që përmirësimi i kësaj infrastrukture do të kontribuonte në zhvillimin e ekonomik të vendit, që bizneset të mos ngarkoheshin me taksa nga më të ndryshmet”- tha eksperti Halili.
Kabineti qeveritarë, ditë më parë prezantoi qindra projekte që janë realizuar, ndërsa se qindra të tjerë janë në realizim e sipër. Edhe ministrat e BDI-së gjithashtu dhanë llogari para qytetarëve, duke prezantuar aktivitetet e tyre në 100 ditshin e parë të qeverisjes.
NAIM RAMADANI
