Maqedoni
Von Der Leyen: Proces paralel për RMV-në dhe Shqipërinë. Plenkoviç: T’i japim dinamikë të re zgjerimit të BE-së. Osmani: Vazhdojmë të punojmë për Samitin e marsit
10.01.2020 17:02
Nga Brukseli vijojnë sinjalet pozitive për fillim të negociatave për anëtarësim me Shkupin e Tiranën këtë pranverë...

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, u zotua se para Samitit të Zagrebit do të prezantohet metodologjia e re e zgjerimit të BE-së dhe se paralelisht me të do të fillojnë negociatat për anëtarësim me dy shtetet.
“Mund të punojmë për tema që janë ngritur në Këshillin Evropian. Duhet t’i shikojmë ato, por duhet të gjejmë rrugë për proces paralel për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që dera të jetë e hapur dhe ato të mund të fillojnë negociatat për anëtarësim. Ky është një proces paralel për të ripërtërirë metodologjinë dhe për ta vazhduar rrugën me këto dy shtete. Iu kemi kërkuar shumë që të përmbushin si kritere. I përmbushën. Tani ne nuk duhet t’i ndryshojmë rregullat.”,- tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
Për zhbllokimin e procesit të zgjerimit të BE-së angazhohet edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç.
“Në fillim të majit do të kemi një samit mes shteteve anëtare dhe shteteve fqinje me Kroacinë. Do të donim të jepnim një dinamikë të re në këtë proces dhe nëse është e mundur zhbllokim të procesit, fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.”,- tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.
Vendi vazhdon të punojë për marrjen e datës në Samitin e marsit. Thotë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për Samitin e marsit. Ajo kushtëzohet me përgatitjen e metodologjisë. Shpresojmë që metodologjia të përcaktohet deri në fund të janarit. Do të ketë një raport të jashtëzakonshëm në shkurt, i ndryshëm nga ai i rregullti që është në prill dhe ky raport i jashtëzakonshëm të merret si bazë për një vendim në mars.”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Gjithsesi, autoritetet në vend do ta kenë më të qartë se çfarë mund të presë vendi nga Samiti i Zagrebit, nga eurokomisari për zgjerim, Oliver Varhei, i cili më 15 janar viziton Shkupin.
GAZMEND REXHEPI
