Maqedoni

Rasti "TNT", Dauti: Gjykata Penale po na bën shtypje

10.01.2020 17:27

Gjykata Penale inicion procedura disiplinore në Odën e Avokatëve për të na dënuar...

Gjykata Penale inicion procedura disiplinore në Odën e Avokatëve për të na dënuar dhe për të na i marrë licencat e avokatëve, në këtë mënyrë duke tentuar që të na heshtin për kërkesat që janë të bazuara në normativat pozitive të vendit.
 
Kështu reagon avokati, Merxhan Dauti, i angazhuar në rastin “TNT”. Ai njëherit kërkoi që gjykata të pranojë dorëheqjen e gjykatëses porote, Liljana Ivanovska Koçkovska. 
 
"Mos u frikësoni kryetar, kjo lëndë vjetërsohet në vitin 2031 dhe nuk e kuptoj insistimin tuaj në kundërshtim me të gjitha normat pozitive që lënda e njohur në opinion si “TNT” të mbarojë para zgjedhjeve ose në afat sa më të shkurtër, gjatë këtij muaji. Me respektimin e normativave ligjore dhe moslejimin e shfrytëzimit të gjuhës shqipe po bëhen shkelje thelbësore të Ligjit për Procedurë Penale. Gjykatat e nivelit më të lartë, ajo e Apelit dhe Gjykata Supreme, nuk do t’i heshtin këto fakte dhe lënda në vend që të fillojë të gjykohet prej fillimi në janar, do të fillojë në qershor apo korrik 2020 kur të kthehet në rigjykim nga gjykatat e instancave më të larta." 
 
Nëse është interes nacional që të dëmshpërblehet Fiat Canovski para zgjedhjeve, atëherë le të fillojë gjykimi nga e para dhe le të caktohen seanca çdo ditë deri më 12 prill, tha Dauti.
 
Ai bëri thirrje që kryetari i Gjykatës të përgjigjet nëse është e vërtetë se Gjykata Penale nuk ka gjykatës tjetër porotë dhe nëse në një gjykim të zhvilluar në janar një gjykatës porotë për shkak të mbarimit të mandatit më nuk është anëtar i Këshillit dhe pse nuk insiston që edhe atij t’i vazhdohet mandati.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI