Botë
Thaçi ia kërkon Vetëvendosjes emrin e mandatarit
10.01.2020 18:12
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, duke i kërkuar atij emrin e mandatarit të Vetëvendosjes për postin e kryeministrit, siç thotë ai, për të evituar vonesat rreth formimit të qeverisë së re.
Në letër Thaçi ka kërkuar që të njoftohet nëse Vetëvendosje do të dorëzojë emrin e mandatarit për kryeministër apo do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë.
“Si president i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre”,- ka shkruar Thaçi.
Letra e Thaçit vjen pas takimit të së hënës me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, në presidencë, ku është diskutuar për mandatarin për kryeministër, pas çka Thaçi i dha një afat prej 48 orësh Vetëvendosjes ta propozoj mandatarin.
Por, Vetëvendosje, e cilësoi afatin e Thaçit si joligjor dhe paralajmëroi se do ta dërgonte emrin e mandatarit së shpejti, përmes një letre, pa saktësuar se kur do të ndodhë ajo.
Ndërkohë Vetëvendosje vazhdon përpjekjet për koalicion me LDK-në, por ende nuk është arritur marrëveshje, pasi Kurti i ka ofruar Mustafës ndarjen e posteve minsitrore katër me gjashtë në favor të LDK-së, por kjo e fundit kërkon ndarjen shtatë me tre.
Po shqyrtohet edhe opsioni i rritjes së numrit të ministrive nga 12 në 16.
GYLTENE SINANI
