Maqedoni

Ideja për koalicion trepalësh, të gjithë janë pro, mungon rezultati

10.01.2020 18:33

Përpjekjet për formimin e një koalicioni parazgjedhor trepartiak mes ASh-së, Lëvizjes Besa dhe Alternativës vazhdojnë...

Përpjekjet për formimin e një koalicioni parazgjedhor trepartiak mes ASh-së, Lëvizjes Besa dhe Alternativës vazhdojnë, por jo edhe pa përplasje mediatike mes zyrtarëve të lartë.
 
Përderisa ASh dhe Lëvizja Besa janë deklaruar se janë për koalicion trepalësh, nga Alternativa thonë se janë në negociata me ASh-në dhe po kërkojnë kombinimin fitues, pa dashur të përjashtojnë askënd.
 
Lëvizja Besa është për koalicion trepalësh dhe kërkon që marrëveshja të zyrtarizohet sa më shpejtë.
 
“Jemi për koalicion trepalësh. Lëvizja Besa e tejkaloi veten nga ajo situatë dhe jemi të vendosur për koalicion mes Besës, Aleancës dhe Alternativës, të cilin e vlerësojmë si koalicion fitues. Pres që me qëndrime të njëjta të reflektojnë edhe Aleanca dhe Alternativa që edhe ato ta tregojnë gatishmërinë e plotë që ky koalicion të funksionojë.”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
 
Përtej përplasjeve sporadike, ASh fton Besën dhe Alternativën që të tejkalojnë dallimet në favor të unifikimit të votës shqiptare.
 
“Ka një frymë pozitive dhe shpresoj se partitë politike në fjalë, të cilat janë themeluar si rezultat i pakënaqësisë nga klasa politike që i ka përfaqësuar shqiptarët, do t’i thirren arsyes dhe ky koalicion të përfundojë me sukses.”,- deklaroi deputeti i ASh-së, Syrija Rashidi.
 
Edhe BDI fton opozitën shqiptare për një bashkëpunim parazgjedhor. Gjithsesi dënojnë narracionin politik që bashkëpunimi të ketë në shënjestër vetëm rrëzimin e BDI-në.   
 
“I gjithë narrativi i tyre politik është që të luftojnë BDI-në, tregon që ata nuk e kanë qëllimin e sinqertë. Ata nuk e kanë qëllimin për të përmirësuar jetën e njerëzve për të bërë një sallë sporti, si kjo këtu, për të bërë jetën e njerëzve më të mirë. Ata e kanë për të luftuar BDI-në dhe për të ardhur vetë në pushtet.”,- theksoi Bujar Osmani nga BDI.
 
Koalicioni ASh-BESA-Alternativa pritet të zyrtarizohet brenda janarit, por aktualisht Aleanca për Shqiptarët ka zhvilluar negociata të ndara me Besën dhe Alternativën, ndërkaq ende nuk është konfirmuar një takim mes Bilall Kasamit dhe Afrim Gashit. 
 
SHPËTIM NUREDINI