Maqedoni
Marrëveshje USHT-ministria e ambientit
30.09.2014 16:34
Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta ku përfshihen seminare, konferenca, punëtori, realizimi i projekteve të përbashkëta nga fusha e arsimit, kulturës...

Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta ku përfshihen seminare, konferenca, punëtori, realizimi i projekteve të përbashkëta nga fusha e arsimit, kulturës, shkencës dhe sferat tjera me interes institucional dhe publik, janë këto disa nga pikat e marrëveshjes ku Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor janë dakorduar që të bashkëpunojnë në të ardhmen.
Marrëveshja u firmos sot nga rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ameti dhe ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.
“Në këtë drejtim, ne sot firmosëm marrëveshje bashkëpunimi edhe me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Marrëveshja në fjalë, vlerësojmë se është tejet e rëndësishme dhe si e tillë vë në lëvizje kapacitetet tona kadrovike për të thelluar dhe konkretizuar bashkëpunimin tonë në lëmi të caktuara, mjaft të dobishme për studentë dhe stafin akademik. Me nënshkrimin e saj, bashkë me ministrin z. Nurhan Izairi, u pajtuam që të hedhim hapa konkrete për realizimin praktik të të gjitha pikave që ajo parashikon”- tha rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.
Sipas marrëveshjes, Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të bëjë përfshirjen e njohurive profesionale të ekspertëve të universitetit, në hartimin e dokumentacionit të nevojshëm të Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe të Planifikimit Hapësinor.
“Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor obligohet që t’i përfshijë kuadrot e USHT-së për vlerësimet e projekteve të ndryshme në kuadër të kësaj ministrie, në këtë mënyrë presim avancimin e diturisë, përforcimin e kapaciteteve të të dyja palëve, që do të rezultojë përfundimisht me përmirësimin e gjendjes të mjedisit jetësor”- u shpreh ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
Njëherit, në marrëveshje është paraparë nxitja dhe organizimi i veprimtarive të tjera, qëllimi themelor i të cilave është mirëqenia e përbashkët, si dhe forma të tjera të bashkëpunimit në mes dy institucioneve.
Nga USHT-ja, po ashtu theksojnë se edhe në të ardhmen mbeten të përkushtuar që të forcojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante të edukimit dhe kërkimit shkencor.
MIFTAR EMINI
