Ekonomi
Banka Evropiane mbështet këshilldhënien për bizneset
30.09.2014 16:38
Shumë nga pronarët e bizneseve nuk janë të vetëdijshëm për përfitimet nga shfrytëzimi i ndihmës këshillëdhënëse dhe transferimit të diturisë praktike...

Shumë nga pronarët e bizneseve nuk janë të vetëdijshëm për përfitimet nga shfrytëzimi i ndihmës këshillëdhënëse dhe transferimit të diturisë praktike, respektivisht nuk janë të sigurt për mënyrën më të mirë të menaxhimit me projektet këshillëdhënëse të Bankës Evropiane për Ripërtrirje dhe Zhvillim, e cila nëpërmjet fushatave informuese planifikon të rrisë vetëdijen tek kompanitë e vogla dhe të mesme për mundësitë që jepen nga këshilldhëniet për biznes.
“Në shumë raporte qasja deri tek financat vjen në radhë të parë, por përvoja jonë tregon se shumë e rëndësishme është edhe këshilldhënia për biznes. Ndryshimet e vërteta bëhen atëherë kur kompanitë do të marrin këshillë nga një person kompetent dhe në kohë të duhur, ndërsa ky ndryshim do të thotë vendosje e kësaj kompanie në një nivel më të lartë”- deklaroi menaxhuesja e projektit, Maja Anteska.
Nga kompania vendore e cila merret me informatikë, “Infinit Sollushëns”, konfirmojnë këto përparësi të cilat nëpërmjet Bankës Evropiane për Ripërtrirje dhe Zhvillim kanë angazhuar ekspertë nga Irlanda për këshillim, me çka iu është ndihmuar të kenë rritje të shitjes.
“Edhe pse projekti është ende në zhvillim, mund të vërehet se kemi rritje të shitjes dhe kompania jonë është në rritje të bërjes së biznesit”- tha udhëheqësja e “Infinit Sollushëns”, Violeta Velevska.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Mitko Aleksov, shfrytëzimi i këtyre diturive dhe përvojave nga ekspertë eminent ndërkombëtarë është shumë e rëndësishme për zhvillimin e kompanive.
Këshillat e huaja të biznesit për kompanitë vendore ndikojnë në rritjen e konkurrencës së tyre, instalimin e inovacioneve, rritjen e vetë veprimtarisë në treg, rritjen e efikasitetit dhe produktivitetit, të cilat rezultojnë me shitjen në tregun vendor dhe që është edhe më e rëndësishme, rritjen e eksportit dhe pozicionimin në tregje të reja.
BESIM ABDULLAI
