Maqedoni
Analistët: Statusi i vendit kandidat nuk rrezikohet
30.09.2014 16:45
Maqedonia nuk rrezikon statusin e vendit kandidat jo për shkak të qëndrimeve dhe zhvillimeve brenda Maqedonisë...

Maqedonia nuk rrezikon statusin e vendit kandidat jo për shkak të qëndrimeve dhe zhvillimeve brenda Maqedonisë, por për shkak të agjendës dhe parimeve të Bashkimit Evropian.
Kështu vlerëson analisti, Arsim Sinani, sipas të cilit edhe sivjet raporti i progresit nuk pritet të sjellë diçka të re, përveç kërkesës për rikthimin e dialogut politik dhe vazhdimin e reformave në administratë dhe gjyqësi.
“Mendoj se BE ka një strategji. Kjo strategji është fatgjate. Në vijë të kësaj strategjie, pavarësisht qëndrimeve të institucioneve në Maqedoni, BE dhe institucionet përbërëse të tij kanë një stabilitet, kanë një vijë dhe në bazë të kësaj vije unë nuk pres që të dëshpërojnë qytetarët e Maqedonisë, por do të ritheksohen ato kërkesa të cilat BE ia ka vendosë Maqedonisë para dhënies së statusit kandidat”- deklaroi analisti, Arsim Sinani.
Sipas Sinanit, përgjegjësia për ngecjen e vendit në procesin eurointegrues bie kryesisht mbi partitë politike, të cilat edhe pse deklarohen pro eurointegrimeve, nuk sillen në formë evropiane.
Një nga kërkesat dhe normat themelore për integrimin evropian është dialogu politik, i cili aktualisht po mungon, thekson Sinani.
“Mendoj se kjo do ta mbajë Maqedoninë në këtë gjendje në të cilën është. Por, them se mund të vijë një ditë kur do të vijnë njerëz të përgjegjshëm, të cilët do ta dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe do ta kuptojnë se perspektiva e vetme e këtij vendi është NATO-ja dhe BE”- tha Sinani.
Edhe drejtoresha e Drejtorisë për Zgjerim e Komisionit Evropian, Aleksandra Kas Granje, pak ditë më parë deklaroi se nuk ekziston rrezik që këshilli të heq rekomandimin.
Nuk do të ketë ndërprerje në këtë proces dhe as reduktim të përpjekjeve të BE-së.
Unioni ka ide të qartë për rrugën evropiane të Maqedonisë, theksoi Granje.
SHPËTIM NUREDINI
