Maqedoni

Kuvend, fati i shumë ligjeve pa epilog konkret, Nuhiu: Parlamenti s’do arrijë të miratojë gjitha ligjet

11.01.2020 17:49

Ende pa epilog konkret fati i rreth 50 ligjeve në prag të shpërbërjes së kuvendit më 11 shkurt....

Në mesin e tyre numërohen ligji i mediave, prokurorisë publike të rekomanduara nga Brukseli zyrtar si dhe ligji për armatën që është në kontekst të anëtarësimit të vendit në NATO. Nga parlamenti nuk japin detaje se ligjet a do të vehen në rend ditë brenda këtij afati 30 ditor. Shkuarja në zgjedhje pa miratimin e këtyre ligjeve është veprim mjaft riskant vlerëson politikologu Qani Nuhiu. Ai shprehet skeptik se ligjet do të miratohen nga kjo përbërje parlamentare.
 
“Partitë tona nuk janë të shquara për kompromise politike dhe fakti I dytë është se partitë më tepër janë të prirura, së paku në këtë fazë të mendojnë për interesa partiake se sa ato shtetërore. Andaj duke u nisur nga këto që i përmenda jam skeptik nëse do të arrihet të miratohen këto ligje mjaft të nevojshme, ashtuqë realisht mendoj se puna për këto ligje është dashur të kryhet para shpalljes së qeverisë me mandat teknik që të mund në këtë fazë, pra këtë 30 ditor të miratonin edhe projekte të tjera ligjore.”- tha Qani Nuhiu, politikolog.
 
Nuhiu:  Mosmiratimi i ligjeve, pjesë e fushatës
 
Për miratim presin edhe ligjet për heqjen e kamatave dhe riprogramimin e borxheve për persona fizik, për përmbaruesit, heqjen e vendimeve të lustrimit, ligji për libra, për tatime të pronës dhe borxhit publik. Kjo përbërje parlamentare duhet të miratojë edhe protokolin për anëtarësim të vendit në NATO. Politikologu Nuhiu thotë se kjo çështje s’duhet ti lihet përbërjes së ardhshme parlamentare.
 
“Kam mendimin se këto çështje do të përfshihen në fushatë parazgjedhore edhe të them në thojëza se mund të shëndrohen në çështje kushtimisht thënë patriotike me të cilat mund të licitojnë veçanërisht partitë e bllokut politik maqedonas.”- tha Nuhiu.
 
Kryeparlamentari Xhaferi ka siguruar se protokoli i NATO-s do të miratohet deri më 12 shkurt. Seanca e radhës e kuvendit është caktuar për më 14 janar.
 
MERALE ISMAILI