Botë
Trump mbështet protestuesit "e guximshëm" iranianë
12.01.2020 12:47
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur mbështetje për protestuesit “e guximshëm” të Iranit....

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur mbështetje për protestuesit “e guximshëm” të Iranit, të cilët dolën në rrugët e Tehranit për të shfaqur pakënaqësinë pasi autoritetet pranuan se gabimisht kanë rrëzuar avonionin ukrainas duke lënë të vdekur 176 pasagjerë.
“Për popullin e guximshëm dhe të vuajtur të Iranit: Unë kam qëndruar me ju që nga fillimi i mandatit dhe administrata ime do të vazhdojë të qëndrojë me ju. Ne jemi duke përcjellur protestat tuaja me vëmendje dhe jemi të inspiruar nga guximi juaj”, tha Trump në Twitter. Ai shtoi se Tehrani duhet të lejojë organizatat për të drejtat e njeriut të monitorojnë mbarëvajtjen e protestave.
“Nuk mund të ketë edhe një masakër të protestave paqësore, apo ndalim të qasjes në internet. Bota po ju shikon”, shtoi ai.
Komentet e Trumpit vijnë pasi qindra protestues u mblodhën në disa pjesë të Tëhranit për të kërkuar drejtësi dhe dorëheqje të qeverisë.Mediat lokale raportuan se disa protestues kanë djegur fotografi të gjeneralit Qasem Soleimani i cili u vra nga SHBA-ja më 3 janar. Teherani zyrtar ka pranuar të shtunën se ka rrëzuar aksidentalisht avionin ukrainas pak minuta pas nisjes nga Teherani, duke lënë të vdekur 176 pasagjerë. Rrëzimi i aeroplanit ndodhi disa orë pasi Irani gjuajti 23 raketa në bazat irakiane që strehojnë trupat e SHBA-së.
