Botë
Meta nuk dekreton ligjin “antishpifje”
12.01.2020 17:30
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka refuzuar të dekretojë ligjin “antishpifje”...

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka refuzuar të dekretojë ligjin “antishpifje” të miratuar disa javë më parë nga mazhoranca socialiste.
Ligji shumë i kritikuar nga gazetarët vendas, por edhe nga disa prej ambasadave të aleatëve strategjikë, është kthyer nga Meta në Kuvend. Sipas Metës, ky ligj “shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik, të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit”. Presidenti e konsideron ligjin “në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, si dhe në shkelje të standardeve të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
"Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurtë ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese dhe shproporcionale që parashikon ligji i miratuar”, shprehet Presidenti në argumentimin ligjor të dekretit për kthimin e paketës “antishpifje”
"Ky realitet do të prodhonte frikësimin dhe autocensurën, mbylljen apo pezullimin me pa të drejtë të mediave elektronike, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, ç’ka do të prodhonte furnizimin e publikut me fakte ndryshe nga realiteti, që jo vetëm keqorientojnë shoqërinë në kërkimin e të drejtave të tyre, por dhe në përmbushjen e përgjegjësive qytetare për ndërtimin dhe ruajtjen e vetë demokracisë”, shkruhet mes tjerash në dekretin e Metës.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka përshëndetur vendimin e Presidentit Meta duke theksuar ky vendim konfirmon drejtësinë e qëndrimit të organizatës së tyre në këtë kauzë në mbrojtje të lirisë së shprehjes”.
