Maqedoni
Gabime të shumta në përkthime
30.09.2014 16:58
Përkthimet e dobëta si dhe mungesa e përkthyesve të specializuar në fusha të ndryshme janë ndër problemet kryesore me të cilat përballet kjo sferë...

Përkthimi është profesion dhe jo çdonjëri mund ta ushtrojë këtë detyrë, thotë profesori universitar, Asllan Hamiti, sipas të cilit, niveli i përkthimeve nga gjuha shqipe në maqedonishte dhe anasjelltas nuk është i kënaqshëm, sepse hetohen gabime të natyrave të ndryshme.
Problem shtesë është fakti se mungojnë përkthyes të specializuar për përkthimin e veprimtarive të ndryshme shoqërore.
“Në të ardhmen duhet të kemi përkthyes profesionist të fushave të ndryshme, të specializuar në veprimtarinë e ekonomisë, politikës, fushës së mjekësisë etj. Përkthyesi i përgjithshëm vështirë se mund të bëjë përkthim të specializuar”- tha profesori universitar, Asllan Hamiti.
Në rast se evidentohen gabime në përkthim, përgjegjësinë kryesore e bart përkthyesi, por edhe stafi i përfshirë në këtë proces.
“Përgjegjësia bie mbi të gjithë ata që e kanë bërë përkthimin, në radhë të parë për përkthyesin, redaktorin, lektorin, botuesin dhe mbi të gjithë ata që marrin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në përkthim”- u shpreh Hamiti.
Një ndër gabimet në këtë sferë është se përkthyesit mbështeten në modelin e gjuhës nga e cila përkthejnë dhe tekstet nuk i përshtaten natyrës së gjuhës shqipe.
Profesoresha, Ajten Qamili, nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup, sqaron se për këtë duhet të ketë institucion special.
“Edhe ne vetë të punësuarit të kësaj katedre duhet, por nuk jemi të specializuar. Ne kemi kërkuar dhe bëjmë përpjekje që edhe vetë stafi ynë të specializohen dhe të ngriten edhe vetë ata në nivelin më përkatës dhe të ketë një institucion, sikurse ka për maqedonishten, lektorë dhe përkthyes të specializuar”- u shpreh profesoresha, Ajten Qamili.
Përkthyesit duhet t’i përkushtohen me seriozitet më të madh punës, si dhe të mos jenë të kushtëzuar nga faktori kohë, thonë profesorët që ligjërojnë në grupin e përkthimit.
FLUTURA LATIFI
