Maqedoni

Debat mbi mbrojtjen e viktimave nga dhuna

30.09.2014 17:04

Gratë përjetojnë relativisht shumë më shumë dhunë se burrat dhe dhuna psikike është më shumë prezente sesa dhuna fizike dhe seksuale...

Këtë e theksoi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, duke iu referuar hulumtimeve të bëra në periudhën mes vitit 2009-2012, në punëtorinë rajonale me temë: "Rruga për mbrojtje më të mirë të viktimave dhe ndjekje më e fuqishme e dhunës së bazuar gjinore dhe dhunës familjare", që sot dhe nesër mbahet në Shkup. 
 
"Numrat dhe përqindjet pandërprerë flasin se gratë në përqindje të madhe janë viktima të dhunës fizike krahasuar me burrat, si dhe fakti se burrat paraqiten dominues, apo tërësisht si kryerës të dhunës psikologjike, fizike apo seksuale. Gjinia ka rëndësi të faktorit thelbësor për dhunën ndaj personave të moshuar. Gratë janë më shpesh të ekspozuara në të gjitha llojet e dhunës vetëm për shkak të asaj që janë gra"- deklaroi ministri i Punës dhe Politikes Sociale, Dime Spasov.
 
Dhuna në familje, sipas tij, paraqet shkelje të të drejtave të njeriut të viktimave dhe është pengesë për realizimin e të drejtave dhe lirive fondamentale.
 
Spasov, theksoi se rregullimi i dhunës familjare në legjislacionin pozitiv, shteti vendosi dhënie të detyrueshme të mbrojtjes përkatëse, viktimave të dhunës familjare, si dhe mbrojtje ligjore shtesë viktimave në këto raste.
 
“UNDP, merr pjesë dhe ka një rol të rëndësishëm për luftën kundër dhunës në familje. Të dhënat e fundit flasin se çdo e treta grua në Evropë është viktimë e dhunës fizike dhe 13 milionë femra janë viktimë e dhunës në çdo vit. Në Maqedoni, statistikat janë më të ulëta, por megjithatë kjo vjen si pasojë e asaj se këtu nuk lajmërohen raste të tilla. Shpresoj se ligji i ri, që është vënë në qeveri, do t’i parandalojë rastet e tilla”- tha Louisa Vinton nga UNDP.
 
Sistemi i mbrojtjes së viktimave të dhunës familjare është përmirësuar gjithashtu përmes hapjes së këshillimoreve për fëmijë dhe prindër, viktima të dhunës familjare, si dhe vendosjen e Qendrës së re Rajonal për Përkujdesjen e Viktimave të Dhunës Familjare. 
 
Përfaqësuesja e përhershme e Kombeve të Bashkuara, Luizia Uington, po ashtu theksoi se lufta kundër dhunës gjinore për KB-në është prioritet i madh.
 
Në pikëpamje të standardeve ndërkombëtare, përfaqësuesja e Këshillit të Evropës, Liza Giril, e theksoi Konventën e Stambollit, e cila filloi të zbatohet nga 1 gushti. Në afat më të gjatë theksoi se Konventa nga Stambolli kërkon arsimim të fëmijëve, që të çrrënjoset dhuna ndaj grave.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU