Maqedoni
Bekteshi: Nesër në Kuvend propozim/ligji për investitorë strategjikë
13.01.2020 14:28
Propozim-ligji për investime strategjike sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi..

Propozim-ligji për investime strategjike sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, garanton zhvillim ekonomik dhe krijim të kushteve të përshtatshme për investitorët. Ky ligj nesër pritet të jetë në seancë plenare të Kuvendit, prandaj ministri Bekteshi sqaroi kushtet që duhen plotësuar për të marrë statusin e investitorit strategjik.
“Projekte të cilat duhet të realizohen në investim prej së paku 100 milion euro dhe projekte të cilat do të jenë në dy apo më shumë komuna, atëherë do të kualifikohen që të marrin statusin për investime strategjike. Por, kjo nuk është me rëndësi në nivel shtetëror, kjo ka të bëjë me rëndësinë që e ka zhvillimi ekonomik lokal. Andaj, pikërisht me këtë propozim ligj kemi paraparë që çdo investim i cili do të kalojë 30 milion euro dhe do të ndodhi në komunat që kryesisht janë rurale, atëherë me siguri se ai investim do të kualifikohet.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Për atë se kush do të marrë statusin e investitorit strategjik do të vendos komisioni i përbërë nga 9 anëtarë nga institucione të ndryshme.
“Komisioni i përbërë nga 9 anëtarë nga institucione të ndryshme do t’i propozojë qeverisë ligj special ku do të parashihet në mënyrë konkrete dinamika e realizimit të çdo investimi i cili do të marrë këtë status. Dhe duke marrë parasysh edhe ‘chek n balans’ Kuvendi i RMV-së do të miratojë Ligjin ‘leg specialis’ për çdo investim në vendin tonë.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Subvencionet për investitorët strategjikë do të përcaktohen në bazë të ligjit ekzistues për ndihmë shtetërore.
ERSAN PAJAZITI
