Ndotja e ajrit, Makraduli: Muajt e fundit të 2019-s kishte ulje të ndotjes
Shkupi vazhdimisht është ndër qytetet më të ndotura në botë....

Shkupi vazhdimisht është ndër qytetet më të ndotura në botë, por sipas zëvendësministrit të mjedisit jetësor, Jani Makraduli, matjet e qendrave monitoruese tregojnë se në krahasim me pesë vitet e kaluara, në tre muajt e fundit të vitit 2019 ka pasur ulje drastike të ndotjes së ajrit.
“Nuk po them se nuk ka ndotje, të mos keqkuptohem, por ende në Shkup nuk e kemi shpallur. Ekzistojnë ligje dhe masa që janë miratuar si nga qeveria ashtu edhe nga Qyteti i Shkupit, ende nuk kishim moment për shpalljen e gjendjes alarmante, që parashihen një sërë masash të cilat do të duhej të ndërmerren. Kjo është rezultat i aktiviteteve të përbashkëta, vetëdijes më të lartë të qytetarëve dhe institucioneve.”,- deklaroi zëvendësministri i mjedisit jetësor, Jani Makraduli.
Mjekët: Ndotja e ajrit dëmton shëndetin e qytetarëve
Nga ana tjetër, mjekët thonë se niveli i lartë i ndotjes së ajrit paraqet rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
“Ajri i ndotur mund të ndikojë keq në shëndetin e njeriut dhe mund të përhapë gripin dhe çfarëdo lloj sëmundje respiratore. Por, tek personat me grip mund të sjellë komplikime tjera në shëndetin e njeriut, që mund të përfundojnë me vdekje.”,- tha një mjeke.
Si pjesë e eliminimit të burimeve të ndotjes së ajrit në disa spitale, shkolla dhe çerdhe është implementuar sistemi i ri për ngrohje me gaz natyral. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
