Naqe Çulev: KShZ të japë mendim nëse Stavrevski do të jetë shef i SPB - Shkup

13.01.2020 17:50

Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev...

Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, ka dorëzuar kërkesë për mendim deri te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve lidhur me  emërimin e Risto Stavrevskit, për shef të Sektorit për Punë të Brendshme - Shkup e që nuk e ka nënshkruar zëvendësministrja plotësuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska, njoftojnë nga KShZ.

“Mbledhja do të mbahet gjatë ditës së nesërme”, thonë në KShZ.

Sipas Çulevit, problematizimi i zgjedhjes së Stavrevskit në krye të SPB-Shkup, është për arsye politike.

“Stavrevski nuk është i dënuar, ndaj tij nuk zhvillohet ndonjë procedurë apo çfarëdo hetimi. Përkundrazi, ai është person i cili posedon certifikatë ‘sekret shtetëror’ për informacione me karakter të besueshëm, të lëshuar në kohë kur Spasovski ishte ministër i Punëve të Brendshme. Nuk shoh asnjë pengesë që të jetë shef në SPB - Shkup dhe për shkak të mundësisë që dispozitat ligjore të interpretohet ndryshe, planifikoj t’i drejtohem KShZ-së, e cila duhet të vendosë dhe të prononcohet për funksionimin e mëtutjeshëm normal të pozicionit të personit për të cilin bëhet fjalë”,- ka deklaruar për Agjencinë e lajmeve MIA, Çulev.

Ndërkohë, zëvendësministrja plotësuese, Petrovska, ka bërë të ditur se nuk e ka nënshkruar vendimin për emërimin e Risto Stavrevskit për shef të SPB - Shkup, pasi, siç thotë ajo, Stavrevski dëgjohet në audio incizime se si kryen presion mbi votuesit. (Naim Ramadani, TVM2)