Futboll

Nëntori, 2 miqësore luksi për Shqipërinë

30.09.2014 17:59

Muaji nëntor rezervon dy miqësore luksi për kombëtarenshqiptare. Pas Francës, të cilën e kemi në grup...

Muaji nëntor rezervon dy miqësore luksi për kombëtarenshqiptare. Pas Francës, të cilën e kemi në grup, por si vend organizator është e kualifikuar direkt në Europian dhe rregullorja e UEFA-s në këtë rast parashikon zhvillimin e ndeshjeve miqësore me skuadrat e tjera të grupit, konfirmohet edhe ajo më Italinë.
 
Takimi do të zhvillohet më datë 18 nëntor, katër ditë pas sfidës me "Gjelat" në Lorient, në orën 18:00 në stadiumin "Tardini" të Parmës.
 
Miqësorja konsiderohet si historike, pasi kombëtarja shqiptare nuk është përplasur asnjëherë me katër herë kampionët e botës. 
 
Tashmë, akordi është gjetur edhe zyrtarisht, pasi edhe të dy trajnerët Antonio Konte dhe Xhani De Biazi e kanë pëlqyer një përballje të tillë në miqësore.
 
Gjithsesi, para Francës dhe Italisë Shqipërinë e presin dy takimet që mund të rezultojnë vendimtare për ambiciet e kuqezinjëve. I pari është ai ndaj Danimarkës në Elbasan, i parashikuar më datë 11 tetor dhe tre ditë më vonë ai ndaj Serbisë në Beograd.