Maqedoni

Ndërhyrjet e paligjshme, shkak për dëmtimin e pallateve në Shqipëri

13.01.2020 18:21

Ndërhyrjet e paligjshme në strukturën e disa pallateve në Lezhë janë bërë shkak për dëmtimin e shumë prej tyre....

Konkluzioni del nga raporti i prokurorisë së qytetit verior, ku thuhet se në 6 pallate të vjetra të ndërtuara gjatë viteve ‘90 janë bërë ndërhyrje  shtesë pa asnjë studim. Dyshimet janë se këto ndërhyrje dobësuan strukturat e pallatit duke u bërë të pabanuara.
 
Ndërsa për pallatin 10-katësh, i cili është ndërtuar gjatë viteve të fundit, shkak i dëmtimeve ka qenë cilësia e dobët e punimeve. Provat janë në dorën e drejtuesit të Prokurorisë së Lezhës, Milan Laska, dhe në ditët në vijim pritet të regjistrohet procedim penal për përgjegjësit. Ata akuzohen për tri vepra penale “Ndërtimi pa leje”, “Dhënie të ndihmës për ndërtim të paligjshëm”, si dhe “Shpërdorim të detyrës”. Do të jenë hetimet ato që do të përcaktojnë nëse ka element të këtyre veprave penale dhe nëse një gjë e tillë  faktohet personat përgjegjës do të vihen para drejtësisë. 
 
Në Bashkinë e Lezhës nga lëkundjet e 26 nëntorit janë shpallur të pabanueshëm 10 pallate dhe 2 institucione të cilat pësuan dëmtime të rënda.
 
Në Durrës për të njëjtat shkelje janë arrestuar 18 persona, shumë prej të cilëve do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.
 
LULJETA NDOKA