Maqedoni
Spasovski: Shërbimet dhe të drejtat e qytetarëve do të vazhdojnë të realizohen pa pengesa
14.01.2020 12:25
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, ka deklaruar se qytetarët nuk duhet të shqetësohen...

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, ka deklaruar se qytetarët nuk duhet të shqetësohen sepse shteti do të funksionojë pa pengesa dhe se do të realizohen të gjitha shërbimet ndaj tyre. Spasovski njëherit u kërkoi të gjithë anëtarëve të ekzekutivit që në këtë periudhë të vijë në shprehje maksimale përgjegjësia personale, institucionale dhe profesionale dhe të jepet kontributi më i mirë për të mirën e qytetarëve dhe për zhvillimin dhe përparimin e Maqedonisë së Veriut. Edhe në këtë periudhë deri në zgjedhje, qeveria do t’i vazhdojë politikat me të cilat Maqedonia e Veriut ndërtohet si shtet i të gjithë qytetarëve që jetojnë në të. Ndërsa të gjitha institucionet duhet të angazhohen për organizmin e zgjedhjeve që i ngjan një demokracie evropiane, tha mes tjerash kryeministri teknik.
“Qytetarët të mos shqetësohen sepse shërbimet dhe të drejtat do të vazhdojnë të realizohen pa pengesë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për subvencionet për bujqit, apo realizimin e të drejtave të kategorive sociale në rrezik. Ato janë të garantuara dhe do të paguhen në kohë. Në kohë janë rritur edhe rrogat për sektorin publik, ashtu si edhe shërbimet që qytetarët i marrin nëpërmjet administratës. Është e domosdoshme dhe prioritet i lartë për të gjithë ministrat e kësaj qeverie, pa përjashtim, që të sigurojnë kontinuitet në funksionimin e institucioneve në sundimin e së drejtës dhe demokracisë. Të hapim hapësirë maksimale për vullnetin demokratik të qytetarëve, të marrin pjesë në zgjedhjen e qeverisë së re legjitime, e cila do të vazhdojë ta udhëheq Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën e vërtetë si anëtare e NATO-s dhe anëtare e ardhshme e BE-së. Vendi ynë njihet si model i suksesshëm që e avancoi konceptin e zhvillimit të një shoqërie të barabartë dhe të drejtë për të gjithë. Duhet bërë të gjitha përpjekjet për ruajtjen e këtij kontinuiteti dhe afirmim i vlerave që janë kontribut për mirëkuptim ndërkulturor dhe bashkëpunim.”,- deklaroi kryeministri teknik i RMV-së, Oliver Spasovski
