Maqedoni

Daçiq: Raportet mes Serbisë e Malit të Zi, shumë të këqija

14.01.2020 12:44

Marrëdhëniet midis Beogradit dhe Podgoricës janë shumë të këqija për shkak të miratimit..

Marrëdhëniet midis Beogradit dhe Podgoricës janë shumë të këqija për shkak të miratimit të ligjit malazez për lirinë e fesë deklaron Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, duke shtuar se kushdo që e pranon këtë ligj në Serbi e "tradhton vendin e tij".
 
"Ai që e toleron këtë ligj, e tradhton vendin e tij, por problemi është se këtu bëhet fjalë për qarqe interesi", tha Daçiq për Radio-Televizionin e Vojvodinës.
 
Ai hodhi poshtë akuzat e një grupi intelektualësh nga ish-Jugosllavia, të cilët, përmes një apeli, thanë se Beogradi po kërcënonte paqen dhe stabilitetin "në Malin e Zi dhe rajon". Në këtë apel i kërkohet komunitetit ndërkombëtar të dënojë fushatat politike, të kishës dhe mediave në Serbi.
 
"Asnjëherë nuk kemi thënë që duam që Mali i Zi të jetë i bashkuar me Serbinë, e as nuk kemi miratuar ndonjë akt që do të kishte ndonjë lidhje me marrëdhëniet e brendshme në Mal të Zi. Malazezët vazhdimisht pretendojnë se Serbia kinse dëshiron të jetë përsëri në të njëjtin shtet me Malin e Zi. Jo se ne nuk duam, por është një histori e mbaruar", tha Daçiq.
 
Ai deklaroi se Serbia ka shprehur pakënaqësinë e saj për miratimin e ligjit, për të cilin beson se ishte drejtuar kundër popullit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe, dhe u kërkoi autoriteteve malazeze që të zgjidhin problemin në paqe dhe dialog.