Maqedoni

Qeveria teknike, përplasen partitë për keqpërdorim të funksioneve

14.01.2020 16:29

Pas krijimit të Qeverisë teknike, pothuajse për çdo ditë përplasen dy partitë më të mëdha politike...

Pas krijimit të Qeverisë teknike, pothuajse për çdo ditë përplasen dy partitë më të mëdha politike në kampin politik maqedonas. LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në se është duke krijuar teren për mos ta pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe se përmes ministrave të tyre në Qeverinë teknike po tenton që t’i pengojë qytetarët ta realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese më datën 12 prill. 
 
“Janë lexuar përpjekjet e VMRO-DPMNE-së dhe Hristian Mickovskit, të cilët përmes keqpërdorimit të funksioneve teknike, VMRO-DPMNE-ja dëshiron që t’i pengojë qytetarët t’i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese gjatë kësaj qeverie teknike, që ka mandat të realizojë zgjedhje të lira. Mickovski dhe VMRO-DPMNE-ja po përgatisin teren për mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve, sepse tanimë janë ballafaquar me të vërtetën se më 12 prill do t’i humbin zgjedhjet.”,- deklaroi deputeti i LSDM-së, Hari Lokvenec.
 
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE, nga e cila pohuan se nxjerrja e dëshmive për punët e paligjshme të cilat kanë kryer funksionarët e LSDM-së, nuk kanë lidhje me rezultatin e zgjedhjeve. Sekretari i kësaj partie, Igor Janushev, ka pohuar se VMRO-DPMNE nuk ka mundësi mos të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, e cila do të jetë një fitore bindëse për VMRO-DPMNE-në.
 
“Do të ishte jashtë logjikës të mos pranohet një fitore bindëse e VMRO-DPMNE-së. Një nga disa punët të cilat do t’i kryejë LSDM-ja në këtë periudhë do të jetë përpjekja e tyre për t’i motivuar trupin e tyre votues që është shumë i dëshpëruar dhe i zhgënjyer nga qeverisja e tyre, sepse për këto tre vite nuk ato nuk kanë parë asgjë nga kjo parti, e cila lirisht kësaj Qeverie pas këtyre tre viteve mund t’i japim epitetin si Qeveria më kriminale në historinë e Maqedonisë, por edhe më e paafta.”,- tha sekretari i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
 
Për LSDM-në VMRO-DPMNE-ja po tenton që përmes këtyre zgjedhjeve ta sjellë tek qytetarët regjimin e gruevizmit dhe prandaj po keqpërdoret skajshmërisht pozita e ministrit teknik në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ndryshimi i strukturave më të larta të policisë. 
 
FITIM KRYEZIU