Lëvizja Besa: Kodra e Diellit është lënë pas dore me vite
Kodra e Diellit është lënë pas dore vite me radhë....

Kodra e Diellit është lënë pas dore vite me radhë, vlerësojnë nga Lëvizja Besa. Nga kjo parti thonë se shkak për këtë gjendje të kësaj pike turistike janë politikat e gabuara të qeverisë, e konkretisht të BDI-së.
Akuzojnë ministrin e ekonomisë, Kreshnik Bekteshin, dhe komunën e Tetovës, si fajtor kryesor për mosrealizimin e projekteve infrastrukturore, ndërsa teleferiku me gjashtë ulëse, sipas tyre, po mbahet peng, me qëllim që e njëjta të lëshohet në fushatë parazgjedhore.
“Dëgjuam ministrin e ekonomisë të kësaj qeverie duke u arsyetuar se gjoja ai i paska bërë punët, por faji qenka te ministri i transportit. Ministër Bekteshi a mund të na tregoni i cilës qeveri është ky ministër i transportit, apo mos ndoshta keni bërë marrëveshje që deri pas zgjedhjeve mos të lëshohet, që të mund të lavdëroheni në fushatë, edhe pse punët i vononi gati 6 vjet? Për vite me radhë nga komuna e Tetovës dhe qeveria kemi dëgjuar premtimet për një parking shumëkatësh në Kodrën e Diellit, për një infrastrukturë më të mirë, për një investim në lagjen e vilave, por përveç fjalëve boshe, asgjë më shumë nuk është bërë.”,- deklaroi Sali Mustafa nga Forumi Rinor i Lëvizjes Besa.
Përndryshe, ministri i ekonomisë Bekteshi gjatë pres konferencës së djeshme tha se të gjitha obligimet që janë në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë që kanë të bëjnë me ski-liftin në Kodrën e Diellit, janë kryer. Për lëshimin e tij, Bekteshi tha se duhet të pyeten Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
