Maqedoni

Plenkoviq: Anëtarësimi i RMV-së dhe Shqipërisë në BE, prioritet i Kroacisë

14.01.2020 17:45

Kroacia dëshiron që zgjerimin juglindor të BE-së ta vendosë në fokus të kryesimit të saj me BE-në...

Kroacia dëshiron që zgjerimin juglindor të BE-së ta vendosë në fokus të kryesimit të saj me BE-në, deklaroi nga Strasburgu kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq. Organizimi i Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb dhe hapja e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, janë  prioritetet kryesore të kryesimit të Kroacisë me BE-në. Sipas tij, Kroacia nuk e fsheh ambicien që të përpiqet të sigurojë mbështetje nga vendet anëtare të BE-së për fillim të negociatave për anëtarësimin e RMV-së dhe Shqipërisë.
 
“Raporti i ardhshëm i Komisionit Evropian dhe propozimet për përmirësimin e metodologjisë së procesit të negociatave do të jenë të rëndësishme. Për besueshmërinë e politikës së zgjerimit është e rëndësishme që t’iu përmbahet parimeve të respektimit të kritereve politike dhe përparimit individual. Çdo vend kandidat duhet të vlerësohet mbi rezultatet e tij, me çka qëllimi përfundimtar i negociatave të jetë anëtarësimi në BE. Ky duhet të jetë fokusi kryesor i politikës së zgjerimit.”,- deklaroi kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
 
Von Del Leyen: Të hapen bisedimet me Shkupin dhe Tiranën
 
Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Del Leyen, bëri thirrje që Ballkani Perëndimor t’i jepet një perspektivë europiane. Gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Europian, ku u paraqit programi i presidencës kroate, presidentja Von Del Leyen theksoi se negociatat duhet të hapen pasi si Maqedonia e Veriut ashtu dhe Shqipëria i përmbushën detyrat e përcaktuara.
 
“Brenda disa javësh, Komisioni do të paraqesë metodologjinë e re të zgjerimit në mënyrë që ne të diskutojmë modernizimin i cili është shumë i nevojshëm, por më e rëndësishmja është t’iu japim miqve tanë në Ballkanin Perëndimor një perspektivë europiane, duke filluar bisedimet e pranimit. Ata i kryen detyrat e tyre, tani është radha jonë.”,- tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Del Leyen.
 
Ndërkohë, kryeministri kroat Plenkoviq potencoi se takimi në Zagreb në muajin maj do të mbahet 20 vite pas Samitit të parë në Zagreb, i cili “e hapi perspektivën evropiane për Evropën Juglindore dhe për marrëveshjet për stabilizim dhe asociim.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU