Maqedoni

Vazhdon debati rreth propozim-buxhetit

30.09.2014 18:13

Kuvendi ka vazhduar debatin për propozim-buxhetin e qeverisë për vitin 2015...

Deputetët vlerësojnë se të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara në këtë propozim-buxhet do të rezultojnë me ulje të deficitit buxhetor prej 3,5 për qind nga BPV, i cili konsiderohet si i arsyeshëm dhe optimal në kushte të funksionimit të ekonomisë. 
 
Sipas deputetes së BDI-së, Vjollca Mehmedi Nuredini, përkrahja e ekonomisë së vendit është e shumanshme dhe realizohet në domenin e investimeve kapitale, subvencioneve, pensioneve, rrogave dhe kompensimeve sociale. 
 
“Për investime kapitale është ndarë shumë prej 21.209 milion denarë dhe këtu janë përfshirë disa projekte kapitale, korridori 8, pjesa e hekurudhës, gazifikimi, rekonstruimi dhe ndërtimi i spitaleve, shkollave, sallave sportive, investime në ujësjellës dhe kanalizime. Gjithashtu është paraparë të bëhet rritja e pensioneve për 5 për qind, duke filluar nga pensioni i shtatorit me pagesë në tetor të vitit 2015, zmadhim të rrogave, 4 për qind transfere sociale në shumë prej 82.660 milion denarë, për mbrojtje shëndetësore janë planifikuar mjete prej 23.513 milionë denarë, për subvencione është parashikuar shumë prej 140 milionë euro”- deklaroi deputetja e BDI-së, Vjollca Mehmedi Nuredini.
 
Deputetja, Mehmedi Nuredini, ka deklaruar se në propozim-buxhet janë dedikuar 553 milionë denarë për rregullimin e zonave zhvillimore, teknologjike, industriale nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës së nevojshme dhe objekteve, si dhe kryerja e punëve të nevojshme të hulumtimeve gjeomekanike. 
 
Deputeti, Ramiz Merko, është fokusuar në programet e qeverisë lidhur me decentralizimin dhe kalimin e kompetencave të pushtetit qendror tek ai lokal, këto programe janë tepër të rëndësishme si për eurointegrimet e vendit edhe për implementimin e plotë të MO-së.
 
Sipas Merkos, decentralizimi i tërësishëm i pushtetit lokal dhe menaxhimi efikas me tokën ndërtimore do t’i ndihmonte tepër komunat.
 
“Përsëri kemi disa hallka në pushtetin qendror, që në një farë mënyre edhe në këtë mënyrë të menaxhimit të tokës ndërtimore pengohet nëpërmjet Ministrisë së Transportit, me dhënien e pëlqimit për sjelljen e planeve gjenerale apo detale urbanistike, sepse tokat bujqësore duhet të kalojnë në tokë ndërtimore, a që të kalojë në tokë ndërtimore duhet të sillen plane urbanistike, qofshin gjenerale apo detale dhe mandej munden t’u mbarten kompetencat për menaxhim të tokës ndërtimore të njësive të vetëqeverisjes lokale. Kjo pak bëhet me vështirësi”- tha deputeti i BDI-së, Ramiz Merko.
 
Merko, ka shtuar se të gjitha komunat, nga më të voglat deri tek më të mëdhatë, kanë së paku nga 1000 deri në 10 mijë lëndë për legalizim, për të cilat duhet të punohet, pasi në këtë mënyrë munden komunat të grumbullojnë mjaftë mjete në llogaritë e tyre, me të cilat mund të participojnë në përmirësimin e shumë kushteve. 
 
Për buxhetin diskutuan edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët shpalosën projektet konkrete dhe arsyet pse do të mbështesin propozim-buxhetin e qeverisë për vitin 2015.
 
MEFAIL ISMAILI