Maqedoni

Eurokomisari për zgjerim, Varhelji, në Shkup

15.01.2020 09:49

Eurokomisari për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Oliver Varhelji, sot do të qëndrojë për vizitë të parë zyrtare në Shkup...

Eurokomisari për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Oliver Varhelji, sot do të qëndrojë për vizitë të parë zyrtare në Shkup ku do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Oliver Spasovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, kreun e LSDM-së, Zoran Zaev si dhe kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

Në takimet me siguri do të bëhet fjalë për metodologjinë e re të zgjerimit të propozuar nga Franca dhe për vijimin e reformave në vend, veçanërisht miratimin e ligjit për prokurori publike.

Më 18 dhjetor vitin e kaluar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani u takua me Oliver Varhelji në Bruksel, me çka e paraqiti planin reformues të Qeverisë deri tek Samiti i Këshillit Evropian në muajin mars.

Komisioni Evropian do të publikojë mini-raport për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në muajin shkurt, ndërsa metodologjia e re sipas paralajmërimeve pritet të aprovohet në muajin mars.

Eurokomisari Varhelji, muajin e kaluar tha se negociatat inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të fillojnë në pranverë.

Ai atëherë tha se BE duhet ta përmirësojë gabimin e muajit tetor. Vendet anëtare të BE-së nuk u pajtuan për fillim të negociatave me të dyja vendet, për shkak kundërshtimit të Francës e cila, nga ana tjetër, kushtëzoi me metodologji të re të negociatave. 

Vizita e eurokomisarit Varhelji në rajon do të vazhdojë në Shqipëri.