Tiranë

Besimi: Deklarata e Ramës për MO-në korrekte

30.09.2014 18:15

Çështja e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë, marrëdhëniet dypalëshe, por edhe një sërë çështjesh tjera që lidhen me bashkëpunimin...

Çështja e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë, marrëdhëniet dypalëshe, por edhe një sërë çështjesh tjera që lidhen me bashkëpunimin mes këtyre dy vendeve kanë qenë në qendër të takimeve që zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Çështjet e Integrimit, Fatmir Besimi, ka zhvilluar sot në Tiranë.
 
Sipas burimeve pranë kryeministrisë, gjatë takimit me homologun e tij, Niko Peleshi, zhvilluar me dyer të mbyllura, Besimi ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe perspektivën e integrimit të të dy vendeve, ndërsa e njëjta temë ka qenë edhe në qendër të takimit me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.
 
Më herët, në studion e televizionit A1Report në Tiranë, Besimi ka komentuar çështjet e deklaruara të zyrtarëve shqiptarë lidhur me Marrëveshjen e Ohrit, të cilat kanë shkaktuar polemika në Maqedoni. Ai, e vlerëson më se korrekte deklaratën e bërë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë Samitit të NATO-s në Uells, se për t’i çelur rrugën Maqedonisë si pjesëtare të NATO-s nevojitet zbatimi i përpiktë i Marrëveshjes së Ohrit.
 
Ndërkohë, duke folur për kritikat në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Besimi u shpreh se kjo marrëveshje vijon të mbetet sfidë për autoritetet. 
 
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, komentoi edhe marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni, duke vënë në dukje iniciativën e përbashkët për të organizuar një takim mes dy qeverive, të Tiranës dhe Shkupit, me qëllim për të diskutuar çështje me interes të përbashkët. 
 
Besimi, gjatë vizitës së tij ka marrë pjesë edhe në Konferencën Ndërkombëtare “Sfidat pas statusit kandidat dhe politika e zgjerimit gjatë Presidencës së Italisë".
 
LULJETA NDOKA