Maqedoni
Ivanov, caktoi anëtarët e rinj të këshillit të sigurisë
30.09.2014 18:17
Kryetari i Shtetit, Gjorge Ivanov, përzgjodhi ish-deputeten, Flora Kadriu dhe zëvendësshefin e shtatmadhorisë, Naser Sejdinin, për anëtarë të rinj të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Me këtë, presidenti, Gjorge Ivanov, formoi Këshillin e Sigurisë Kombëtare pa përfaqësues të BDI-së, megjithëse është ruajtur korniza kushtetuese për përfaqësimin e bashkësive etnike.

Kryetari i Shtetit, Gjorge Ivanov, përzgjodhi ish-deputeten, Flora Kadriu dhe zëvendësshefin e shtatmadhorisë, Naser Sejdinin, për anëtarë të rinj të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Me këtë, presidenti, Gjorge Ivanov, formoi Këshillin e Sigurisë Kombëtare pa përfaqësues të BDI-së, megjithëse është ruajtur korniza kushtetuese për përfaqësimin e bashkësive etnike.
Nga kabineti i presidentit njoftojnë se në seancën e sotme konstituive të Këshillit të Sigurisë janë përcaktuar aktivitetet lidhur me çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit në periudhën e ardhshme, ndërsa është konstatuar se subjektet e këshillit po realizojnë me sukses obligimet në pjesën e kompetencave të tyre.
Këshilli kërkoi që subjektet të përforcojnë aktivitetet në drejtim të sigurisë dhe paralajmërimit në kohë të rreziqeve për sigurinë kombëtare.
Ndërkohë, nga BDI, emërimet e Ivanovit janë vlerësuar si pjesë e marrëveshjes së fshehur VMRO-PDSH për mbështetjen e Gjorge Ivanovit.
“Kjo u realizua me vonesë, prandaj incidenti i inskenuar në parlament nga deputetët e PDSH-së ishte me qëllim që të bëjë presion që kjo marrëveshje edhe të realizohet. Jemi të bindur që PDSH-ja pas kësaj do të kthehet në parlament, sepse ky subjekt politik realizoi qëllimin e saj dhe dëshmoi edhe një herë që nuk u shërben interesave kombëtare, por atyre partiake dhe grupore. Kujtojmë z. Ivanov se situata e sigurisë nuk është shfaqje teatrale dhe serial spanjoll apo show televiziv që të emërojë njerëz pa legjitimitet dhe jokompetent. Vardisja e ulët e Flora Kadriut në fushatën zgjedhore u tregua se ishte për qëllime personale”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdylaqim Ademi.
Këshillin e Sigurimit, krahas kryetarit të shtetit, e përbëjnë edhe kryeministri, Nikolla Gruevski, kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, ajo e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, si dhe profesori universitar, Veli Kreci.
SANIJE KASAMI
