Botë

“Mos harro Reçakun”, Thaçi: Ndërkombëtarët po heshtin për masakrat.

15.01.2020 15:05

21 vjet më parë, më 15 janar të 1999, ndodhi një nga masakrat më të mëdha të luftës së Kosovës...

21 vjet më parë, më 15 janar të 1999, ndodhi një nga masakrat më të mëdha të luftës së Kosovës, ajo e Reçakut, ku forcat ushtarake serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë. Në përkujtimin e masakrës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “mohimi i masakrës nga ana e Serbisë vjen si rezultat i sjelljes së ndërkombëtarëve”. 
 
“Drejtësia ndërkombëtare, për fat të keq, duke mos dashur që t’ia prishë qejfin Serbisë, ka heshtur për të zbardhur rastin e 400 masakrave të kryera në Kosovë, Masakra e Reçakut, e Izbicës, Krushës e shumë masakrave të tjerave. Po ashtu  ka heshtur drejtësia ndërkombëtare edhe në rastin e dhunimit të 20 mijë grave shqiptare.”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Meta: Mohimi i masakrës, rrezik për riciklimin e dhunës
 
Dalja përpara drejtësisë e atyre që orkestruan Masakrën e Reçakut është rruga e vetme drejt pajtimit, tha edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
“Është koha për të kujtuar këtë ngjarje, por edhe për të kujtuar se duhet të shkojë deri në fund drejtësia për të gjithë ata që orkestruan këtë krim, sepse kjo është rruga e pajtimit. Çdo përpjekje për të mohuar masakrën e Reçakut nuk është gjë tjetër veçse një rrezik për riciklimin e dhunës.”,- u shpreh presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
 Walker: Reçaku ka ndodhur, mohimi serb i kotë
 
Ishte pikërisht Masakra e Raçakut që shokoi botën dhe vuri në lëvizje diplomacinë botërore për të ndaluar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve. 
 
“Unë nuk jam sot këtu për ta dëshmuar se Reçaku ka ndodhur. Bota e kupton që Reçaku ka ndodhur. Kur njerëzit më pyesin se pse Vuçiq thotë se Reçaku nuk ka ndodhur, unë them se po i dëgjoj fjalët e Millosheviqit edhe njëherë. Reçaku ka ndodhur dhe bota ka dëgjuar për këtë masakër.”,- theksoi ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker.
 
Sanduloviq: Krimi ka ndodhur, mos e falni, mos e harroni!
 
Por, jo të gjithë në Serbi heshtin. Kryetari i Republikanëve të Serbisë kërkon drejtësi për krimet e bëra të Millosheviqit në Kosovë.
 
“Dua të flas për krimin që ka ndodhur. Kurrë nuk do të kërkoj si njeri dhe politikan që ta falni këtë dhe ta harroni, pasi që kjo është e pamundur.”,- tha kryetari i Republikanëve të Serbisë, Nikolla Sanduloviq.
 
Masakra e Reçakut është përkujtuar edhe në Tiranë nga Lëvizja Vetëvendosje që i kërkoi qeverisë shqiptare ta njohë këtë masakër.
 
GYLTENE SINANI