Maqedoni

Kuvend, lojërat e fatit përplasën deputetët

15.01.2020 15:43

Me 54 vota “për”, 2 “kundër” dhe asnjë “të përmbajtur”, deputetët i dhanë dritë jeshile propozim ndryshimit të Ligjit për Lojërat e Fatit...

Me 54 vota “për”, 2 “kundër” dhe asnjë “të përmbajtur”, deputetët i dhanë dritë jeshile propozim ndryshimit të Ligjit për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese që të kalojnë në lexim të dytë. Ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me harmonizimin e ligjit me Ligjin për Kundërvajtje, tha zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.
 
“Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Lojërat e Fatit dhe Lojëerat Argëtuese ka të bëjë vetëm me përputhjen e Ligjit për Kundërvajtje, i cili u sjell nga kuvendi vitin e kaluar, ndërsa rregullon varësisht prej lartësisë së obliguesve nëse nuk i respektojnë rregullativat ligjore për paraqitjen e gjobave.”,- deklaroi zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.
 
Por, propozim ndryshimet e ligjit zhvendosën debatin lidhur me praninë e kazinove dhe bastoreve në vend.
 
“Të përkujtoj se para një viti në kuvend çelëm diskutim lidhur me hapjen e një numri drastik të kazinove, bastoreve dhe hapësirave për shitjen e fateve e që po na ndodh masovikisht në RM. Atëherë kolegët nga BDI iniciuan një debat për mundësinë e kufizimit të numrit, kushteve dhe kritereve për hapjen e kazinove, gjë që unë në parim e kam mbështetur, por për fat të keq nga atëherë deri më tani nuk ka asnjë iniciativë, as nga parlamenti, por as nga qeveria, se duhet të vendoset rend dhe kushte më të vështira për hapjen e kazinove dhe vendeve për lojëra të fatit.”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
“Ne asnjëherë nuk kemi thënë se duhet t’i mbyllim kazinotë dhe lojërat e fatit, po kërkohet zgjidhje e cila për momentin nuk do të dëmtonte as organizatorët e lojërave të fatit, por mundësisht të zgjidhim problemin që pjesën më të madhe të rinisë tonë ta largojmë mundësisht nga këto vende për t’i frekuentuar, sepse kemi situata kur kazinotë janë të hapura para çerdheve, para shkollave fillore, të mesme, universiteteve, para faltoreve të ndryshme.”,- theksoi Rexhail Ismaili nga BDI.
 
“Ku ishit ju kur e miratuat ligjin për TVSH-në 10% për lojrat e fatit. Çfarë po flisni ju, 2011 LSDM ja ishte në pushtet apo ju, por atëherë ishte mirë miratuat ligjen tani ju  atë që flisni se është katastrofë, flisni për veten tuaj  apo kjo nuk ju pështatet. Turp është kjo që e bëni. Gjithçka përziet, lojëra të fatit, kazino, sikur ne duam që të ketë kazino në çdo qoshe. Jo, ne debatuam, kishim debat publik. Ka gjëra me të cilat nuk pajtohemi, por ka gjëra me të cilat pajtohemi se kjo dukuri duhet të vendoset në një relacion dhe lëvizje normale.”,- u shpreh Dime Velkovski nga LSDM.
 
Procedura për miratimin e një ligji të veçantë i cili duhet të rregullojë praninë e kazinove dhe lojërave të fatit ka nisur par një viti e gjysmë, por për miratimin e tij nevojitet konsensus midis palëve.
 
NAIM RAMADANI