Kulturë

Kumanovë, ekspozita e artizanateve rikthen kujtesën

15.01.2020 16:09

Në organizim të Odës Rajonale të Zejtarëve të Kumanovës dhe Ministrisë së Ekonomisë...

 Në organizim të Odës Rajonale të Zejtarëve të Kumanovës dhe Ministrisë së Ekonomisë, në Galerinë e Arteve në Kumanovë u hap një ekspozitë e pazakontë me suvenire dhe gjësende tjera të prodhuara ndër dekada e shekuj si traditë e bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë në rajonin e Kumanovës.
 
“Mbaj në mend se shumë më herët punoheshin edhe në shtëpinë time, vet nëna ime i ka punuar këto qilima të këtillë dhe deri vonë i kemi mbajtur ato në shtëpi, mirëpo kohëve të fundit modernizmi po i largon, po i zhduk dalëngadalë.”,- theksoi një pjesëmarrës në ekspozitë.
 
“Është kënaqësi e madhe të shohim këto lloj punime të bëra nga vetë dora e njeriut, kjo tregon se si në të kaluarën ky zanat ka qenë shumë aktiv, mirëpo tani koha e ka bërë të veten dhe se këto punime ndoshta edhe janë në zhdukje e sipër”,- tha për TVM2 një pjesëmarrës në ekspozitë.
 
“Ne si odë do të qëndrojmë prapa çdo zejtarie, sepse ajo është më e ndërlikuar nga sa ne mendojmë, zejtaria fillon me bujqësinë e deri tek ndërtimet ambicioze dhe turizmi.”,- theksoi Agron Fazliji nga Oda e Zejtarëve “Zeja” - Kumanovë.
 
Në këtë ekspozitë ishin të ekspozuara qilima të ndryshëm shumëngjyrësh, prodhime të lëkurës e të tjera që paraqesin një atraksion të vërtetë të traditës dhe kulturës së rrethit të Kumanovës, kurse me këtë mëtohet ruajtja e disa zejeve, të cilat dalëngadalë po vdesin.
 
FATLUM AQIFI