Zgjedhjet e 12 prillit, Vejseli: Mund të shuhen parti shqiptare

15.01.2020 16:27

Mungesa e planit konkret të partive politike në qeverinë kalimtare....

Mungesa e planit konkret të partive politike në qeverinë kalimtare ka bërë që Qeveria e Përzhinës të mos jetë funksionale dhe të vijnë në shprehje përplasjet partiake.

Ish deputeti, Abdylhadi Vejseli, në emisionin debativ “Argument” në TVM2 vjen me vlerësimin e tij se kjo qeveri kalimtare nuk do të sjellë rezultatet për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, duke lënë pas dore interesat e qytetarëve. Vejseli madje thotë se nga skena politike mund të shuhen edhe parti shqiptare.

“Mund edhe të shpërthejnë në prag të zgjedhjeve të 12 prillit dhe mendoj se do të jenë zgjedhje të rënda, zgjedhje në të cilat politikisht do të luftohet mes veti për jetë apo vdekje për shkak se këtu do të paraqiten ata fitimtarët dhe humbësit, por te kampi politik shqiptar do të ketë edhe shkatërrime edhe fshirje të partive politike të cilat nuk do të mund që të marrin votat e duhura edhe për të nxjerrë ndonjë kandidat për deputetë e kështu me radhë.”,- deklaroi ish deputeti, Abdylhadi Vejseli.

Koalicionet e partive shqiptare, Selimi: Të pamundura, shkak interesat personale

Opinionistët, Sefer Selimi, dhe Berat Azizi thonë se sistemi aktual zgjedhor është fajtor për favorizimin e lojtarëve të mëdhenj dhe mbylljen e hapësirës për zhvillimin e partive më të vogla politike.

Kjo sipas tyre mbyt demokratizimin e shoqërisë. Madje sipas Selimit edhe bashkimi trepalësh i Aleancës, Besës dhe Alternativës në koalicion është i pamundur si pasojë e inateve personale.

“Ato të gjithë flasin për rrëzimin e BDI-së, por kjo nuk është ofertë politike, rrëzimi I BDI-së është zëvendësim. Dhe tani grepi është te interesat e ngushta, te inatet individuale mes këtyre dy partive dhe unë e kam thënë hapur është gabim në këtë rast që Aleanca hyn me këto dyja parti në koalicion sepse energjinë do ta harxhojë në menaxhimin e kapriçove ndërmjet dy liderëve të cilët kanë dalë prej një partie.”,- u shpreh opinionisti, Sefer Selimi.

Azizi: Koalicionimet vetëm pas zgjedhjeve

Opinionisti Azizi i shikon si reale koalicionet paszgjedhore. Pjesë e qeverisë së re mund të jenë dy parti shqiptare, thotë Azizi.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që pas zgjedhjeve të kemi në qeveri edhe dy parti politike shqiptare, nuk përjashtohet kjo, pavarësisht një apo dy deputetë, flas nga informacione jozyrtare. Afërsia e partive politike shqiptare me të dyja subjektet politike maqedonase është përafruar pavarësisht retorikës nacionaliste.”,- tha opinionisti, Berat Azizi.

Aktualisht, BDI dhe PDSh janë shprehur se do të shkojnë të vetme në zgjedhjet e 12 prillit. Partitë politike maqedonase pritet të garojnë në dy blloqe, në koalicion me partitë më të vogla. (Meral Ismaili, TVM2)