Maqedoni
Esnafi i Çarshisë: Shumë premtime për Çarshinë, realizimi ngec
15.01.2020 17:30
Edhe pse është një ndër monumentet më të rëndësishme kulturore të vendit, Çarshia e Vjetër e Shkupit

Edhe pse është një ndër monumentet më të rëndësishme kulturore të vendit, Çarshia e Vjetër e Shkupit ndodhet në gjendje të mjerueshme infrastrukturore, ankohen zejtarët e saj. Mungesa e parkingjeve, ndriçimit, kalldrëmtat e shkatërruara, objektet e ndërtuara pa leje janë fotografi që ndikojnë ndjeshëm në punën e zejtarëve në Çarshi. Edhe pse këto janë probleme të kamotshme të tyre, esnafi i Çarshisë thotë se për zgjidhjen e të njëjtave nuk është ndërmarrë asgjë.
“Duhet të ketë një rregull, duhet të ketë një planprogram se si do të realizohen ato pika. Për shkak se nuk mund të bëjmë kulmin para themelit, ne me vite ankohemi për parkingje në karte, me vjet ankohemi se nuk kanë konsumatorët ku të parkohen edhe kemi atë problem se bëhen ndërtime. Para se të bëhen pikat e para që duhet, ne shkojmë të fundit i kapim. Nëse nuk bëhen parkingje për Çarshinë, atëherë ne konsumator nuk do të kemi, ne vizitorë nuk do të kemi.”,- deklaroi kryetari i esnafit të Çarshisë, Bejtulla Morina.
Ganiu: Punojmë për Çarshinë, në kuadër të kompetencave
Kreu i komunës së Çairit Visar Ganiu thotë se komuna u del në ndihmë esnafit në kuadër të kompetencave që i ka. Të vetmet projekte që ka fituar komuna janë ndërrimi i vitrinave dhe ndërrimi i kalldrëmeve, projekt ky që sipas tij duhet të realizohet gjatë periudhës së ardhshme. Premton edhe zgjidhje të problemit të parkingjeve.
“Një solucion për parkingun, është tek tregu i gjelbër kur do të mbaroj do të ketë mbi tregun parking, edhe për nevojat e tregut por edhe për nevojat e Çarshisë. Ne kemi përgatitur dokumentacionin dhe jemi në fazë finale për çështjen e pronës tokësore tek parkingu afër xhamisë Isa Begu dhe jemi duke pritur harmonizimin e planit detal për të pasur të drejtë për parking nëntokësor që është i paraparë me fazën e tretë të sheshit Skënderbeu.”,- u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Esnafi thotë se në periudhën e kaluar kanë nënshkruar marrëveshje me ish-kryeministrin Zaev për realizimin e kërkesave të tyre, por sipas tyre asnjë prej kërkesave nuk është realizuar. Hallet e tyre esnafi ia parashtroi edhe funksionarëve të BDI-së që dolën t’i vizitonin.
ERSAN PAJAZITI
