Maqedoni

Komisioneri Varhelji në Shkup: Miratimi i Ligjit për Prokurori do të ishte sinjal i mirë

15.01.2020 17:47

Perspektiva evropiane e rajonit mbetet prioritet edhe i përbërjes së re të Komisionit Evropian....

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, hungarezi Oliver Varhelji, në vizitën e tij të parë prej marrjes së detyrës porositi autoritetet në Shkup që të vazhdojnë me zbatimin e reformave, duke veçuar nevojën për miratimin e Ligjin për Prokurori Publike, i cili ka mbetur pezull për një kohë më të gjatë. Njoftoi se Komisioni Evropian, i ka propozuar Parlamentit Evropian që të ndajë 50 milionë euro shpërblim për Maqedoninë e Veriut, në favor të reformave.      
  
“Qeveria dhe institucionet e tjera duhet të zbatojnë reformat dhe të vazhdojnë me punën e deritanishme dhe gjithsesi prioritet duhet t’i jepet ligjit të ri për Prokurori Publike. Shpresojmë që kjo të ndodh nga përbërja e tanishme parlamentare dhe ky do të ishte sinjal i mirë drejt vendeve tona anëtare. Shpresoj që pas zgjedhjeve do të kemi partner të sigurt në qeveri. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është thelbësor, pavarësisht se kush do të jetë në qeverinë e re si dhe Marrëveshja dypalëshe me Bullgarinë.”,- deklaroi  komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelji. 
 
Spasovski: Presim vendimin e merituar
 
Përkundër dëshpërimit nga epilogu i samitit të tetorit Maqedonia e Veriut vazhdoi reformat dhe me padurim pret përmirësimin e metodologjisë për bisedimet qasëse me të cilën do të mbetet e kënaqur edhe Franca. Kryeministri Spasovski kërkoi që ky proces, edhe pse komplementar, të jetë i ndarë nga vendimi për Maqedoninë e Veriut.  
 
“Sinqerisht dhe me të drejtë presim realizimin e qëllimit tonë me vendim për fillimin e bisedimeve në këto muaj pas 15 vite në dhomën e pritjes me statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Me asgjë nuk do ta rrezikojmë atë që kemi arritur dhe për të cilën marrim lëvdata nga Komisioni Evropian kur Këshillit Evropian iu sugjerua fillimin e menjëhershëm dhe pakusht të bisedimeve qasëse.”,- tha kryeministri, Oliver Spasovski.
 
Edhe, kryetari i Republikës, Stevo Pendarovski, gjatë takimit me komisarin Varhelji ka theksuar se integrimi evropian dhe euro-atlantik mbetet qëllim strategjik i shtetit. “Në pritje të finalizimit të shpejtë të anëtarësimit në NATO, fokusi i vendit është orientuar drejt perspektivës për hapjen e bisedimeve qasëse për anëtarësim në BE. Shpresoj se në mars të këtij viti do të definohet metodologjia e re për zhvillimin e procesit të bisedimeve qasëse mes vendeve anëtare të BE-së.”- thuhet në kumtesën e Kryetarit Pendarovski. 
 
Gjatë qëndrimit në Shkup, Varhelji takoi edhe kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, dhe atë të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Pas vizitës në Shkup, Varhelji do të vizitojë Tiranën. 
 
SHPËTIM NUREDINI