Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, 99% e institucioneve nuk e zbatojnë Ligjin
99 për qind e institucioneve të anketuara në nivel lokal....

99 për qind e institucioneve të anketuara në nivel lokal dhe qendror nuk e respektojnë dhe zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve edhe një vit pas hyrjes në fuqi të të njëjtit.
Agjencia për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në muajin shkurt do të dalë me raport konkret se cilat institucione kanë respektuar përdorimin e gjuhëve dhe cilat kanë stagnuar në këtë aspekt.
Zbatimi i Ligjit për Gjuhët në Gjyqësor, Sela: Ndihmë nga Qeveria me kuadro dhe financa
Edhe raporti i Komisionit të Venedikut jep rekomandime pozitive për përdorimin e gjuhës shqipe në gjyqësor, por për realizimin në praktikë të rekomandimeve duhet ndihmë nga Qeveria, vlerëson Sela.
“Kam pasur takime të drejtpërdrejta me ta, ku është thënë se nuk na duhet ndihmë nga Agjencia, duhen kuadro përkthyes, financa dhe këtë e bën Qeveria, ne nuk mund ta bëjmë. Ne do të fillojmë me trajnimin e përkthyesve, nëse institucionet kanë përkthyes të dobët, këtë e kemi në plan për vitin 2020.”,- tha drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela.
Bliznakovski: Të dy gjuhët janë zyrtare e duhen mësuar
Rezistencë për mospërdorimin e gjuhëve ka edhe tek institucionet ku udhëheqësit janë të etnitetit maqedonas, po ashtu edhe atje ku udhëheqësit janë shqiptarë. Ky mentalitet duhet të ndryshojë.
“Gjuhë zyrtare janë që të dy gjuhët, gjuha maqedonase me numrin më të madh të folësve dhe gjuha shqipe me numrin më të vogël, por Ligji i barazon të dyja gjuhët dhe duhet që edhe maqedonasit ta mësojnë shqipen, por kjo të vlejë edhe anasjelltas.”,- tha udhëheqësi i sektorit, Marijan Bliznakovski.
Më 31 mars deri te Qeveria do të dorëzohet raporti për punën e deritanishme. Në Agjencinë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve janë shtypur edhe 4 mijë udhëzues në tri gjuhë dhe janë shpërndarë në institucione.
Në to ka edhe formular nëse qytetarët kanë ndonjë ankesë për mosrespektim të kësaj të drejte. Të njëjtat do të duhet të dorëzohen te Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve, i cili është duke u ekipuar. (Flutura Latifi, TVM2)
