Rritja e çmimit të parkingut, sërish protesta në tregun e gjelbër në Shkup

15.01.2020 18:18

Tregtarët e Tregut të Gjelbër bllokuan rrugën me protesta në të tretën ditë me radhë....

Tregtarët e Tregut të Gjelbër bllokuan rrugën me protesta në të tretën ditë me radhë. Kërkojnë që të kthehen çmimet e vjetra për parkim dhe në vend të 70 denarëve aktuale për një orë, të paguajnë vetëm 40 denarë.

Bogdaniviq: Protestojnë tregtarët ilegalë që zënë parkimet

Tregtarët kërkuan takim edhe me kryetarin e komunës Qendër. Ky i fundit nuk lëshon pe nga rritja e çmimeve, ndërsa sa i përket protestave thotë se nuk kanë protestuar ata të cilët i paguajnë rregullisht taksat e tyre, por ata të cilët jolegalisht punojnë jashtë tregut duke uzurpuar parkingun.

“Kjo është një nga masat me të cilën ne po tentojmë që të zgjidhim problemin që me vite po ekziston aty. Përveç tregtarëve   në tregun e gjelbër që rregullisht punojnë, kemi edhe aktivitete të tregtisë jolegale, e cila realizohet jashtë tezgave, pikërisht në vendet e parkimit. Jo vetëm që keqpërdoret vendi i parkimit në atë pjesë të komunës Qendër, por kemi edhe tregti jolegale, uzurpim të hapësirës, shkatërrim të pajisjeve urbane pikërisht nga njerëzit të cilët supozoj se dëshirojnë të kenë takim.”,- tha kryetari i komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq.

Bogdanoviq shton se do të vazhdojë masat për të mos lejuar keqpërdorimet në tregun e gjelbër nga ana e tregtarëve jolegalë. Protestuesit kërcënojnë se nëse autoritetet nuk u përgjigjen kërkesave të tyre, do të vazhdojnë me bllokimet në komunikacion. (Gazmend Kurtishi, TVM2)