Maqedoni

Barazia gjinore në politikëbërje. Lëvizje në Kuvend, në qeveri e komuna punët ngecin

15.01.2020 18:28

Në vendin tonë edhe më tej politika konsiderohet profesion mashkullor....

Numri i femrave deputete është 40%, sipas ligjit. Organizatat e grave dhanë propozim që në zgjedhjet e ardhshme në listën e deputetëve numri i femrave të jetë i barabartë me meshkujt. Në ekzekutiv apo në pushtetin lokal, numri i femrave është frikshëm i ulët.
 
“Pavarësisht asaj, nëse do të votohet ligji ose jo, lista e kandidatëve për deputetë duhet të jetë 50 me 50, të bëjmë monitoring për të njëjtat. T’i bëjmë zgjedhjet në frymën demokratike dhe të drejtën e barazisë gjinore.”,- deklaroi Savka Todorovska nga Unioni i Organizatave të Grave.
 
“Në Qeveri nga 26 ministra, vetëm katër prej tyre janë femra. Ndërsa nga 81 kryetarë komunash, vetëm 6 prej tyre udhëhiqen nga femrat, kjo konfirmon  nevojën e kuadrove gjinore.”,- tha deputetja, Maja Moraqanin.
 
“Kërkesa për rritjen e pjesëmarrjes së grave, pavarësi më e madhe ekonomike dhe mbrojtje e plotë nga çdo lloj forme e dhunës, asnjëherë nuk ishin vetëm kërkesa të femrave, por këto janë kushtet dhe detyrimet e çdo shoqërie moderne.”,- theksoi deputetja, Gjylymsere Kasapi.
 
Përparim ka, por edhe më tej duhet të punohet për barazi gjinore. Përbërja e re parlamentare ka më tepër deputete në krahasim me katër mandatet e fundit.
 
“Ne akoma nuk kemi rregullore sensitive gjinore, nuk kemi as kod etik sensitiv gjinor. Është e nevojshme në Kuvend të kemi rregullore sensitive gjinore, me resurse njerëzore, këtë nuk e kemi ne. Por, e mirë është që e kemi parë dhe duhet ta ndryshojmë në të ardhmen.”,- potencoi sekretari gjeneral i parlamentit, Cvetanka Ivanova.
 
Në Kuvend u miratua plani rreth aktiviteteve për përparimin e barazisë gjinore.
 
“Jam i lumtur që plani për aktivitete do të jetë dokument kryesor strategjik dhe udhëzues për Kuvendin, besoj se do të aplikohen parimet e vendosura dhe unë besoj në këtë. Të jeni të sigurt që ne do t’ju mbështesim.”,- u shpreh ambasadori i OSBE-së në Shkup, Klemens Koja.
 
Në ndërtimin e barazisë gjinore në bazë të dispozitave kushtetuese, Maqedonia është vendi i vetëm demokratik që rendin e saj e vendos mbi bazat e barazisë gjinore.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU